Përjetimi i ankthit, stresit dhe depresionit ndikojnë negativisht në shëndetin mendor dhe ato vijnë si rezultat i lodhjes psikike në vendin e punës, ka deklaruar drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, Faton Kutllovci në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor.
Kutllovci thotë se një hulumtim i kryer nga shoqata e infermierëve të Kosovës gjatë vitit 2022 tregon se niveli i stresit është rritur në rreth 25 për qind, por kjo shifër mund të jetë rritur ende në dy vjetët e fundit.
“Arsyet më të shpeshta janë përjetimi i ankthit dhe i depresionit që po ashtu mund të vijë si rezultat i plotë i lodhjes në punë dhe ngarkesat e tepruara në vendin e punës, mund të rrisin gabimet në vendin e punës, që pastaj do të kenë pasoja edhe në produktivitetin e kompanive apo institucioneve të ndryshme. Në Kosovë, në vitin 2022, është realizuar një hulumtim nga shoqata e infermierëve të Kosovës dhe ka rezultuar që niveli i stresit të jetë diku 25 për qind. Këto shifra mund të jenë të rritura për shkak të përjetimeve dhe angazhimeve të tepruara”, ka thënë Kutllovci.
Në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK, është reparti B, në të cilin trajtohen çrregullimet e ankthit, depresionit, por edhe shenjave të çrregullimeve dhe lodhjes për shkak të përjetimeve në vendin e punës dhe jetën e përditshme. Sipas Kutllovcit, duhet të mësohet të menaxhohet stresi.
”Ne kemi repartin B apo repartin për trajtimin e çrregullimeve jo-psikotike, ku zakonisht trajtojmë çrregullimet e ankthit, depresionit, por edhe shenjat e çrregullimeve somatike dhe lodhjes për shkak të përjetimeve në vendin e punës por edhe në jetën në përgjithësi…3:40 Të mundohemi ta menaxhojmë stresin”, ka thënë Kutllovci.
Në shëndetin mendor, sipas drejtorit të psikiatrisë në QKUK, po ndikojnë edhe lajmet “bombastike”. Kutllovci apelon që të ketë kujdes në trajtimin e lajmeve mbi dhunën familjare, rastet e vrasjeve dhe vetëvrasjeve, pasi kemi të bëjmë me tema tepër të ndjeshme.
“Apeloj tek të gjitha mediat të cilat, në rastin e emetimit të lajmeve të ndryshme të mundohen së paku të bëjnë filtrime sepse, gjithsesi që ne jemi në favor të informimit të shpejtë dhe të drejtë të qytetareve, duhet të kemi kujdes kur të emitojmë lajme qofshin për dhunën, agresivitetin, vrasjen, vetëvrasjen e tjera, të mos dalin me tituj bombastikë, por së paku të filtrohet të marrin në konsideratë se leximi apo shikimi i këtyre shfaqjeve, në portale të ndryshme, gjithsesi që do të ketë imput të keq në shëndetin mendor e të gjithëve”, është shprehur ai.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tema që ka qenë e përzgjedhur këtë vit është, shëndeti mendor në vendin e punës, që i referohet stresit të vazhdueshëm. Nëse keni problem me shëndetin mendor referohuni te psikologu apo psikiatri.