UBT News

Si ndikon në shëndet konsumi i rregullt i pjeshkave?

Pjeshkat janë një nga frutat e preferuara të verës për shumë njerëz janë të lëngshme, të ëmbla e freskuese. Përveç se janë të shijshme, pjeshkat kanë përfitime shëndetësore. Nutricionistja Jamie Lee McIntyre thekson se pjeshkat ofrojnë një numër përfitimesh shëndetësore që shkojnë përtej shijes.

“Ato përmbajnë lëndë ushqyese të dobishme që mbështesin shëndetin e zemrës, zvogëlojnë inflamacionin e ndihmojnë në rregullimin e sheqerit në gjak”, thekson ajo për portalin Eating Well.

Përmirësojnë tretjen

Janë burim i mirë i fibrave dietike, një pjeshkë përmban rreth dy gramë fibra, si të tretshme dhe të patretshme. “Fibrat e tretshme ushqejnë bakteret e dobishme të zorrëve, ndërsa fibrat e patretshme ndihmojnë në nxitjen e tretjes”, shpjegon McIntyre. Konsumi i rregullt i tyre kontribuon në tretje të mirë.

Zvogëlojnë inflamacionin

I lidhur me shumë sëmundje, pjeshkat përmbajnë lëndë ushqyese si beta-karoten, antocianina dhe luteinë, dhe vitaminë C. “Këto komponime mbrojnë qelizat nga stresi oksidativ, i cili mund të kontribuojë në zhvillimin e sëmundjeve të ndryshme”, shton McIntyre.

Ndihmon në uljen e presionit të gjakut

Janë të pasura me kalium, mineral që ndihmon në neutralizimin e efekteve negative të natriumit e relakson enët e gjakut. “Përveç kaliumit, ato përmbajnë vitaminë C, fibra dhe beta-karoten, një kombinim që mbështet shëndetin e zemrës, ulë presionin e gjakut, përmirëson nivelet e kolesterolit”, tha McIntyre.

Rregullon sheqerin në gjak

Pavarësisht shijes së ëmbël, pjeshka përmban 15 gramë karbohidrate, dukshëm më pak se molla, e cila ka 25 gramë. Për njerëzit me diabet, pjeshkët mund të jenë zgjedhje e shkëlqyer, kur kombinohen me burime proteinash dhe yndyrnash të shëndetshme, të cilat ngadalësojnë më tej rritjen e sheqerit në gjak.

Mbron shikimin

Ngjyra e pjeshkave vjen nga karotenoidet si beta-karoteni, luteina dhe zeaksantina, të cilat janë gjithashtu antioksidantë të fuqishëm. Marrja e lartë e luteinës dhe zeaksantinës është lidhur me rrezik më të ulët të kataraktit e degjenerimit makular, shkaqet kryesore të humbjes së shikimit tek të rriturit.

Exit mobile version