UBT News

Si ndikojnë emocionet në kujtesën tonë?

Sipas studimeve të fundit, njeriu mund të përjetojë deri në 28 emocione të ndryshme, nga gëzimi te turpi apo irritimi.

Asnjë emocion nuk është “i mirë” ose “i keq”; secili ka rol të rëndësishëm në jetën tonë dhe në mënyrën se si kujtojmë ngjarjet.

Emocionet ndikojnë në kujtesë. Ato mund të forcojnë ose dobësojnë mënyrën se si ruajmë dhe rikthejmë informacionin. P.sh ndjenja të forta si gëzimi, frika apo zemërimi rrisin fokusin tonë ndaj detajeve të rëndësishme, duke i bërë më të lehta për t’u mbajtur mend.

Ngjarjet emocionale shpesh mbahen mend më qartë se ato neutrale, pasi aktivizojnë pjesë të trurit si amigdala dhe hipokampusi, të cilat janë përgjegjëse për ruajtjen e kujtimeve.

Atresi mund të ketë efekt të dyfishtë. Nivelet e larta të kortizolit, hormoni i stresit, mund të ndihmojnë në ruajtjen e kujtimeve afatshkurtra, por stresi kronik lodh neuronet e kujtesës dhe e vështirëson ruajtjen e informacionit afatgjatë. Për shembull, ankthi para një provimi përmirëson përqendrimin në minutat e fundit, por stresi i vazhdueshëm gjatë ditës mund të pengojë rikthimin e informacionit.

Psikologët sugjerojnë strategji për menaxhimin e emocioneve: reduktimi i stresit, praktika e mindfulness-it, shkrimi në ditar, aktiviteti fizik dhe gjumi i mjaftueshëm. Ushtrime të vogla për rikujtim të kujtimeve pozitive, si ato të falënderimit ose të humorit, janë të dobishme.

Kur kujtesa ndikohet nga shqetësime emocionale, ndihma profesionale nga terapistë apo psikiatër mund të jetë vendimtare. Trajtimi i ankthit, depresionit ose traumës jo vetëm përmirëson gjendjen emocionale, por ndihmon në rikthimin e kujtimeve dhe stabilizimin e trurit.

Në fund, emocionet janë thelbësore për kujtesën. Menaxhimi i tyre në mënyrë të qëllimshme jo vetëm që ndihmon në ruajtjen e kujtimeve, por kontribuon edhe në mirëqenien tonë të përgjithshme. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version