Një biografi e vitit 2018 për presidentin francez, Emmanuel Macron, kishte zbuluar se prindërit e tij janë tronditur kur zbuluan se djali i tyre 16-vjeçar kishte një lidhje me mësuesen e tij të martuar.
Është folur shumë për faktin se Macron është i martuar me Brigitte Trogneux, një grua 24 vjet më e madhe se ai, të cilën ai e takoi kur ishte një nxënës 15-vjeçar kur ajo ishte mësuese në La Providence, shkollë private në Amiens, në veri të Francës.
Shkrimtarja Anne Fulda, e cila shkroi librin Emmanuel Macron: A Perfect Young Man, foli me prindërit e politikanit për aferën skandaloze që filloi kur zonja Trogneux ishte një 39-vjeçare e martuar, nënë e tre fëmijëve.
Prindërit e tij kishin besuar se djali i tyre po dilte me vajzën e mësueses së tij, Laurence, derisa e vërteta doli përmes një miku të familjes.
Të tronditur nga afera, ata e hoqën nga shkolla atëkohë adoleshentin Emmanuel.
“Thjesht nuk mund ta besonim. Ajo që është e qartë është se kur Emmanuel takoi Brigitte, ne nuk mund të thonim thjesht, “Kjo është e mrekullueshme”, ishte shprehur nëna e tij, Francoise Nogues-Macron.
Por, ajo shtoi, “Ajo që kishte rëndësi për mua nuk ishte fakti se ai kishte një marrëdhënie me Brigitte, por se ai ishte gjallë dhe nuk kishte ndonjë problem”.
Duke kuptuar se afera nuk ishte një fazë kalimtare, ajo zbulohet se i kishte thënë mësueses: “A nuk e sheh? Ju keni pasur jetën tuaj. Por ai nuk do të ketë fëmijë me ju”.
Babai i tij, Jean-Michel Macron, zbuloi se ai “pothuajse ra nga karrigia” kur mësoi për të dashurën e djalit të tij.
Prindërit e tronditur takuan zonjën Trogneux dhe i kërkuan asaj që të mos e shihte më djalin e tyre derisa të arrinte moshën madhore, por ajo me sfidë u tha atyre se nuk mund të “premtonte asgjë”.
Megjithatë, gjyshja e Presidentit të ardhshëm, Manette, ishte çuditërisht e kuptueshme!
Francoise kujtoi: “Nëna ime, e cila nuk do ta kishte toleruar kurrë një situatë të tillë për fëmijët e saj, u tregua shumë më e hapur dhe tolerante në lidhje me marrëdhëniet e dashurisë së nipërve të saj”.
Macron nuk ishte student në klasat franceze të gruas së tij të ardhshme, por në mësimet e saj të dramës, të cilat ajo i jepte si lëndë të dytë.
Ajo kujton se ishte e mahnitur me “inteligjencën e tij të jashtëzakonshme, një mënyrë të menduari që nuk e kisha parë kurrë më parë”.
Dyshja e “pamundur” u afrua më shumë kur ata u bënë bashkëautorë të një drame. Zonja Trogneux i tha një shoku vite më vonë: “E dini, ditën kur shkruam së bashku shfaqjen, pata një ndjenjë se po punoja me Mozartin. Shkrimi u bë një justifikim. Ndjeva se e kishim njohur gjithmonë njëri-tjetrin”.
Zonja e Parë e Francës ka konfirmuar për revistën Paris Match se Macron ishte zotuar të martohej me të kur ishte vetëm 17 vjeç, duke i premtuar se do të kthehej dhe do ta gjente.
“Nuk mund të më heqësh qafe. Do të kthehem dhe do të martohem me ty”, citohet të ketë thënë ai.
Duke kujtuar se prindërit e tij “e morën keq” kur zbuluan lidhjen, Macron tha: “Më duhej të luftoja në mënyrë që të jetoja jetën time private dhe profesionale siç dëshiroj. Më duhej të luftoja dhe nuk ishte gjëja më e lehtë apo më e dukshme, jo më automatike për të bërë, as nuk përputhej me normat e vendosura”.
Dyshja përfundimisht u martuan në vitin 2007, kur ai ishte 29 vjeç dhe ajo ishte 54 vjeç. Duke u bërë një njerk shumë i ri për tre fëmijët e saj të rritur, ai u tha atyre në pritjen e dasmës: “Faleminderit që na pranuat, një çift aspak normal”.
Macron është bërë presidenti më i ri i Francës në moshën 39-vjeçare.
Shumë komentues kanë thënë se obsesioni me diferencën e tyre në moshë është një shembull i mizogjinisë së rrënjosur thellë, pasi burrat në pozitat e pushtetit shpeshherë martohen me gra shumë më të reja./UBTNews/