Studimet shkencore mbi ndikimin e stresit në organizëm tregojnë se ai mund të jetë si shkak, ashtu edhe pasojë e humbjes së shikimit.
Humbja e aftësisë për të parë shoqërohet shpesh me stres të madh mendor, i cili në disa raste sjell edhe depresion dhe izolim shoqëror.
Sipas shkencëtarëve të Institutit të Psikologjisë Mjekësore në Gjermani, stresi rrit nivelin e kortizolit, gjë që ndikon në sistemin nervor simpatetik dhe atë vaskular. Me kalimin e kohës, kjo gjendje prek shëndetin e trurit dhe syve, duke çuar deri në humbje të plotë të shikimit.
Konkluzioni i tyre është se stresi nuk është vetëm pasojë e problemeve me sytë, por edhe faktor që i përkeqëson ato. Ulja e stresit mund të sjellë përmirësim të shikimit, madje edhe rikthimin e tij në disa raste.
Ekspertët rekomandojnë meditimin, teknikat e menaxhimit të stresit dhe këshillimin psikologjik si mënyra efektive për të ruajtur shëndetin e syve. Po ashtu, mjekët këshillohen të motivojnë pacientët me optimizëm, pasi frika nga humbja e shikimit shpesh e rëndon gjendjen.
Në shumicën e rasteve, problemet që lidhen me stresin tek sytë janë të përkohshme dhe zhduken sapo kalon situata stresuese.
Megjithatë, nëse simptomat vazhdojnë, është e domosdoshme të konsultoheni me një okulist. /A.Z/UBT News/