Në Ugandë po rriten shqetësimet se infeksionet e reja të Ebolës që u shfaqën në vendin e Afrikës Lindore mund të shndërrohen në epidemi.
Dhjetëra njerëz raportohet se janë infektuar me këtë virus ditët e fundit. 23 prej tyre kanë vdekur, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Mjekët frikësohen se infeksioni viral mund të shpërndahet shpejt. Sëmundja së pari u shfaq në Mubende, në Ugandën Qendrore, ku më 20 shtator vdiq një i ri si pasojë e infektimit me këtë virus vdekjeprurës. Tani autoritetet po luftojnë kundër kohës, duke gjurmuar kontaktet në mënyrë që të parandalohet përhapja e mëtutjeshme e virusit.
Lakuriqët e natës janë shkaktarë të mundshëm
Nuk është e lehtë të kuptohet prejardhja e tij për shkak se zingjirët e infeksionit dhe burimi i shpërthimit ende nuk dihen.
Mjeku Innocent Nkonwa dyshon se lakuriqët e natës mund të jenë shkaktarë të virusit. Ai rikujtoi se si u bë trajtimi i pacientëve me Ebola dhjetë vjet më parë në distriktin Luweero të Ugandës – një zonë ku lakuriqët kanë folenë. Edhe atëherë kishte indikacione se virusi ishte transmetuar nga lakuriqët te njerëzit.
Rrethi Mubende dhe qyteti me të njëjtin emër ndodhen rreth 130 kilometra (80 milje) në perëndim të Kampalas në një rrugë që të çon në Republikën Demokratike të Kongos. Kongo u përball për herë të fundit me Ebolën në muajin gusht dhe të martën zyrtarisht u shpall fundi i epidemisë. Deri më tani, asnjë rast nuk është zbuluar në kryeqytetin e Ugandës, Kampala.
Uganda gati të përballet me rritjen e rasteve
Qëkur virusi u shfaq për herë të parë në vitin 1976, kontinenti u përball me shpërthime të shumta të epidemisë. Shpërthimi më i keq deri më tani ndodhi në Afrikën Perëndimore midis viteve 2014 dhe 2016, kur më shumë se 11 mijë e 300 njerëz vdiqën nga ethet hemorragjike shumë ngjitëse. Kurse shpërthimet e vogla të epidemisë në pyjet e Afrikës Lindore dhe Qendrore u kontrolluan shpejt.
Diana Atwine, sekretare e përhershme në Ministrinë e Shëndetësisë, tha për DW se shpërthimi aktual mund të përshkallëzohet shpejt në një epidemi.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), autoritetet shëndetësore të Ugandës janë relativisht të pajisura mirë për të trajtuar shpërthimet e Ebolës. Vendi është i pajisur me objektet shkencore për të zbuluar virusin, një program mbikëqyrjeje dhe specialistë të trajnuar. Sapo u identifikuan rastet e reja javën e kaluar, qeveria vuri menjëherë në veprim planin e saj të emergjencës. Të mbështetur nga specialistë të OBSh-së, ekipe të trajnuara mjekësh dhe infermierësh udhëtuan në rajonin e prekur për të izoluar sa më shpejt personat e infektuar, për t’i mësuar popullatës masa të thjeshta mbrojtëse dhe për të filluar trajtimin e të sëmurëve./UBTNews/