UBT News

Si do të ndikojë gjendja e jashtëzakonshme në Olimpiadë?

Gjendja e jashtëzakonshme hyri në fuqi vetëm 11 ditë para nisjes së Lojërave Olimpike të Tokios. Në këto lojëra, Kosova merr pjesë me 11 sportistë.

Gjendja e jashtëzakonshme në kryeqytetin japonez, Tokio, nisi më 12 korrik, teksa numri i rasteve me COVID-19 në këtë shtet po rritet shpejt.

Më poshtë mund të lexoni se si pritet të ndikojë në Olimpiadë vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Për çfarë kufizimesh bëhet fjalë?

Gjendja e jashtëzakonshme në Tokio, që do të zgjasë gjashtë javë, është shpallur për të katërtën herë, që prej se nisi pandemia COVID-19. Kjo masë do të jetë në fuqi deri më 22 gusht. Kufizimet kryesore kanë të bëjnë me ndalimin e shërbimit të alkoolit në bare dhe restorante, teksa autoritetet duan që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi dhe të shikojnë Lojërat Olimpike nga televizori dhe jo të mblidhen në vende publike.

Gjendjet e mëparshme të jashtëzakonshme, përfshinin rekomandime për qytetarët, pasi qeveria nuk ka bazë ligjore që të zbatojë izolime të ashpra. Së fundmi, autoritetet kanë rritur fuqitë e tyre që u lejojnë të lëshojnë urdhra për mbylljen e bizneseve apo për shkurtimin e orarit të punës, në këmbim të kompensimit. Autoritetet po ashtu mund të gjobisin bizneset që shkelin këto urdhra, transmeton Rel, përcjell Albinfo.ch.

Me gjendjen e re të jashtëzakonshme kërkohet që restorantet, baret dhe bizneset e tjera të argëtimit ose të mbyllen ose të mos shërbejnë alkool. Ndërkaq, dyqaneve që shesin alkool u është kërkuar që të pezullojnë shitjen e tyre për restorantet dhe baret, por këto dyqane kanë thënë se një kërkesë e tillë do të dëmtojë biznesin e tyre.

Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme shkollat do të jenë të hapura, ndërkaq, parqet, muzetë, teatrot dhe shumica e dyqaneve dhe restoranteve është kërkuar që të mbyllen në ora 20:00.

Banorëve të Tokios u është kërkuar që të shmangin daljet e panevojshme, të punojnë nga shtëpia dhe të mbajnë maskat si dhe të respektojnë masat e tjera të sigurisë. Por, këto masa për publikun nuk janë të obligueshme.

Cilat zona i prek gjendja e jashtëzakonshme?

Gjendja e jashtëzakonshme përfshin pothuajse 14 milionë banorët e Tokios, ndërkaq masat pak më të lehta, që fokusohen në oraret e shkurtuara të punës së restoranteve dhe bareve, prekin 31 milionë banorë të tjerë në qytetet përreth siç është Çiba, Saitama dhe Kanagava, që gjithashtu do të jenë nikoqirë të disa prej ngjarjeve të Lojërave Olimpike.

Masat po ashtu përfshijnë Osakën, që u godit keq nga një shpërthim i virusit në muajin prill dhe po ashtu përfshijnë edhe ishullin jugor Okinava.

Si do ta ndikojë e gjithë kjo Olimpiadën?

Gjendja e jashtëzakonshme do të përfshijë periudhën e Olimpiadës nga 23 korriku deri më 8 gusht dhe ndikimi më i madh është në ndalimin e tifozëve në stadiume dhe në salla të sportit që gjenden në zonën e Tokios.

Përderisa gjendja e jashtëzakonshme kryesisht mbulon Tokion, zyrtarët e Lojërave Olimpike kanë vendosur që të ndalojnë pjesëmarrjen e tifozëve në ngjarjet që do të mbahen në tri qarqet fqinje të Tokios. Ndërkaq, një numër i kufizuar i tifozëve do të lejohen që të shikojnë Lojërat nga afër në disa salla sporti. Për shkak të shqetësimeve lidhur me pandeminë, tifozët e futbollit, basketbollit nuk do të lejohen të ndjekin nga afër lojërat që do të mbahen në Fukushima.

Lojërat Olimpike veçse ishin shtyrë më 2020 për shkak të pandemisë, ndërkaq muaj më parë u mor edhe vendimi që të mos lejohen tifozët nga jashtë Japonisë. Ndërkaq, me kufizimet e reja, Lojërat do të jenë gjerësisht ngjarje që do të shikohen nga ekranet televizive.

Sa e rëndë është situata me pandeminë në Japoni?

Japonia e ka përballuar pandeminë më mirë se shumë shtete të tjera, teksa ka regjistruar rreth 820.000 raste dhe 15.000 viktima.

Por, javët e fundit situata është bërë më serioze dhe Tokio të shtunën regjistroi numrin më të madh të rasteve në dy muajt e fundit, përkatësisht 950 infektime të reja. Ekspertët kanë paralajmëruar se varianti Delta i koronavirusit, që është më ngjitës, po përhapet shpejt nëpër zyra dhe klasa dhe pa masa të ashpra, numri i rasteve mund të arrijë rekord në muajin gusht.

Rreth 16.8 për qind e popullatës është vaksinuar plotësisht. Që prej muajit maj, fushata e vaksinimit është përshpejtuar, por megjithatë nuk është në nivelin që zyrtarët kishin vënë si synim para se shteti të ishte nikoqir i Olimpiadës. Të rinjtë japonezë janë kryesisht ende të pavaksinuar.

A do t’i respektojë masat publiku?

Ekspertët janë të shqetësuar se kërkesat e fundit të gjendjes së jashtëzakonshme nuk do të respektohen nga shumë persona, që veçse janë të lodhur nga masat kufizuese.

Ministri i Shëndetësisë, Norihisa Tamura ka thënë se do të jetë gjë e vështirë për të parandaluar në mënyrë efektive daljen e njerëzve për të pirë, për shkak të atmosferës festive që krijohet gjatë Olimpiadës.

Të rinjtë veçse po mblidhen në rrugë dhe parqe për të pirë alkool, pasi restorantet dhe baret po mbyllen në ora 20:00. Zyrtarët e Tokios kanë filluar patrullimet gjatë natës dhe po i shpërndajnë të rinjtë që po mblidhen pas mbylljes së lokaleve.

Ekspertët thanë se japonezët që dalin gjatë pushimeve të tyre verore dhe Olimpiada, do të jenë rreziqet më të mëdha për atletët dhe pjesëmarrësit e tjerë në Lojërat Olimpike, aktivitetet e të cilëve do të monitorohen nga afër.

Exit mobile version