Mark Rutte, më 1 tetor mori postin e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s nga norvegjezi Jens Stoltenberg. Rutte, që ishte kryeministri më jetëgjatë në historinë e Holandës, shihet si një “kandidat i vazhdimësisë”.
Më 17-18 tetor, në selinë në Bruksel do të mbahet takimi vjetor i 32 ministrave të Mbrojtjes të NATO-s. Më pas, ministrat e Jashtëm do të mblidhen në kryeqytetin belg më 3-4 dhjetor. Megjithatë, nuk pritet që këto takime ministrore të prodhojnë ndonjë rezultat të madh.
Fillimisht, Rutte pritet që të zhvillojë vizita në kryeqytetet kyçe të NATO-s, po ashtu duhet të nisë përgatitjet për samitin e NATO-s që do të mbahet më 24-26 qershor 2025 në vendlindjen e tij në Hagë. Në mënyrë që të çimentojë pozitën e tij brenda organizatës ushtarake, është e rëndësishme që ky samit të ketë sukses.
Në krye të agjendës së tij, janë tri çështje që ai pritet t’i trajtojë: mbrojtja kolektive e NATO-s, mbështetja për Ukrainën dhe një strategji e re për Rusinë.
Në të ardhmen, Rutte do të jetë përgjegjës në tranzicionin e organizatës nga një lloj ndërmarrjeje disi amerikane në një që do të përfshijë numër më të madh të aleatëve të NATO-s. Me gjasë, ai po ashtu do të angazhohet për vazhdimin e mbështetjes së aleancës për Ukrainën e shkatërruar nga lufta.
Në këtë drejtim, ai ka raport të mirë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe kur ishte kryeministër holandez, ai ndihmoi në dërgimin në Ukrainë të avionëve luftarakë F-16, siguroi sanksione më të ashpra ekonomike të Bashkimit Evropian ndaj Moskës, pavarësisht varësisë holandeze në tregti me Rusinë, dhe ndihmoi që Ukraina të lëvizte drejt anëtarësimit në BE.
Një nga gjërat që ai duhet të merret, në terma afatshkurtër, është çështja e ndërlikuar nëse Ukraina do të marrë ftesë për t’iu bashkuar NATO-s. Ka shpresë në Ukrainë se SHBA-ja – pjesërisht për shkak të rezultatit të politikës së jashtme të presidentit në largim, Joe Biden – do të pajtohet për këtë gjë së shpejti.
Gjithashtu edhe çështje e mbrojtjes kolektive. Për këtë çështje ka boshllëqe, veçmas në krahun lindor të aleancës. Një gjë që aleanca duhet të adresojë dhe bëhet fjalë për sigurimin e më shumë sistemeve të mbrojtjes ajrore për krahun e cenueshëm lindor.
Më pas është Rusia. Rishikimi i politikës së NATO-s sa i përket Rusisë do të jetë lart në agjendë në samitin e Hagës që mbahet vitin e ardhshëm. NATO-ja veçse është pajtuar në samitin e Uashingtonit se “Rusia mbetet kërcënimi më i madh dhe më direkt për sigurinë e aleatëve”. Por, çështja nëse NATO-ja do të shkojë më tej, ndoshta do të ketë ndonjë lloj “politike të përmbajtjes”, edhe pse shumë nuk e pëlqejnë ndërlidhjen e kësaj fraze me atë të një politike të stilit të Luftës së Ftohtë.
Dhe çfarë me Këshillin NATO-Rusi, që nuk është takuar që para nisjes së pushtimit rus të Ukrainës? Dhe çfarë me Aktin për Financimin NATO-Rusi të vitit 1997, që vendosi udhëzues politikë midis aleancës dhe Kremlinit?
Duke pasur parasysh prirjen e Ruttes për kompromis dhe udhëheqjen e tij me një shtet që është anëtar edhe i BE-së edhe i NATO-s, shumë presin, ose të paktën shpresojnë, se ai mund të përmirësojë bashkëpunimin NATO-BE. Ndoshta jo dhe aq nga aspekti institucional, por nga ai joformal pra anëtar me anëtar. Po ashtu, vazhdon të ketë një ngërç mes Qipros (nga ana e BE-së) dhe Turqisë (nga ana e NATO-s) që rezulton në bllokimin më të thellë të veprimeve të përbashkëta formale mes dy institucioneve.
Ka gjasa që për këtë ka pajtim. Shefja në ardhje e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, dhe shefi i ri i Këshillit Evropian, Antonio Costa, janë mbështetës të flaktë të bashkëpunimit transatlantik. Kjo vlen edhe për Andrius Kubilius, ish-kryeministri lituanez që është propozuar që të jetë komisionari i ri për Mbrojtje i BE-së./REL/