Për shumë shqiptarë shurupi i trëndafilit zgjon ndjesinë e nostalgjisë për kohët e dikurshme, kur ishte një ndër pijet më të veçanta që zonjat e shtëpisë përgatisnin kur trëndafilat çelnin nëpër oborret e shtëpisë por edhe në natyrë. Që nga shekulli X e deri në ditët e sotme shurupi i trëndafilit konsiderohet si një ndër tonikët më fantastik jo vetëm për shijen delikate por edhe për efektet mirëbërëse që petalet e trëndafilit kanë për organizmin dhe bukurinë e jashtme.
Nëse e përdorni trëndafilin për aromën e tij, duhet të dini që kjo lule ka efekt qetësues dhe zbutës për trurin. Petalet e trëndafilit janë përdorur kryesisht në mjekësinë popullore për të detoksifikuar dhe qetësuar gjithë organizmin. Shurupi i trëndafilit ofron qetësi shpirtërore dhe mendore duke luftuar stresin. Ju sjellim më poshtë recetën e përgatitjes së shurupit të trëndafilave në shtëpi.
Përgatitja e Shurupit të Trëndafilit
Petalet e 10 trëndafilave
250 gr sheqer
1 l ujë
Lëngu i një gjysme kokrre limoni
Përgatitja
Përzieni në një tenxhere ujin me petalet e trëndafilave dhe lërini me kapak të mbyllur për 24 orë. Më pas, udhëzohet të vendosni tenxheren në zjarr, të shtoni aty sheqerin dhe pasi sheqeri të jetë tretur plotësisht shtoni lëngun e limonit. Lëreni të ziejë edhe për 5 minuta e më pas lëreni të ftohet dhe ruajeni në kavanoza në frigorifer. Kullojeni para se ta konsumoni.
Vlerat dhe përfitimet për shëndetin nga petalet e trëndafilit
Petalet e trëndafilit luftojnë bakteret në mënyrë natyrale duke ndihmuar mirëqenien e lëkurës. Sipas të dhënave trëndafili përmban sasi të mëdha të vitaminës C që në vetvete është një antioksidant i fuqishëm. Kjo vitaminë e rëndësishme ju ndihmon të kuroni dëmet e shkaktuara tek qelizat e lëkurës, si për shembull nga ekspozimi për një kohë të gjatë në diell. Merrni dy grushta me petale petale dhe zhytini në 100 ml me ujë.
Pas 2 ose 3 orësh, shtypini petalet në ujë, filtrojeni dhe e keni gati për përdorim. Disa studime kanë treguar që uji i trëndafilit ndihmon në parandalimin e djegies nga dielli. Trëndafili është plot vlera për ata që kanë një lëkurë të ndjeshme, sepse sheqernat tek petalet krijojnë një ndjesi të këndshme qetësimi tek lëkura./AgroWeb