Wanda Sykes, një nga prezantueset e ceremonisë së Oscars 2022, ka zbuluar së fundmi detaje të reja rreth incidentit të famshëm kur Will Smith goditi me shuplakë Chris Rock gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë.
Në një intervistë të fundit, komediania pranoi se ngjarja “e errësoi” të gjithë mbrëmjen dhe se Smith e kishte telefonuar më vonë për t’i kërkuar falje.
Sykes, e cila ishte një nga tre prezantueset e ceremonisë së bashku me Amy Schumer dhe Regina Hall, kujtoi momentin kur Smith doli papritur në skenë dhe goditi Rock-un pas një shakaje për gruan e tij, Jada Pinkett Smith.

Ajo tregoi se megjithëse aktori 57-vjeçar u përpoq të kontaktonte me të, biseda nuk ndodhi kurrë.
“Ai më telefonoi. Në atë kohë kisha COVID ose një ftohje të rëndë,” – tha Sykes.
“I dërgova një mesazh duke i thënë: ‘E mora mesazhin tënd, faleminderit. Nuk mund të flas tani’. Por ai telefonoi.”
Interesante është se menjëherë pas incidentit, në mars të vitit 2022, Sykes kishte deklaruar në emisionin “The Ellen DeGeneres Show” se ende nuk kishte dëgjuar nga Smith, ndërsa Chris Rock, në mbrëmjen pas ndarjes së çmimeve, i kishte kërkuar asaj falje personalisht.
Vetë Will Smith e ka përmendur incidentin këtë vit në një këngë rap freestyle, duke reflektuar mbi pasojat e atij momenti që tronditi Hollywood-in. /A.Z/UBT News/
