UBT News

Shumica e vendeve të BE-së bëjnë propozime për financimin e armëve

Në prag të takimit të liderëve të Bashkimit Evropian, shumica e vendeve të BE-së, përfshirë Gjermaninë dhe 18 shtete të tjera, kanë propozuar zgjerimin e financimit për armët përmes Bankës Evropiane të Investimeve (BEI). Kjo iniciativë synon të përballojë nevojat urgjente për të forcimin e industrisë dhe teknologjisë së mbrojtjes në Evropë.

Në një letër të dërguar BEI-së, udhëheqësit evropianë theksuan se përdorimi i mekanizmave të financimit dhe mjetet e disponueshme janë të nevojshme për të adresuar sfidat afatshkurtra dhe afatgjata të sigurisë në rajon. Ata theksuan se kjo do të ndihmojë në forcimin e gatishmërisë dhe aftësive të mbrojtjes së Evropës, veçanërisht përballë agresionit rus ndaj Ukrainës.

Në këtë kontekst, udhëheqësit e BE-së do të mblidhen të hënën për të diskutuar mënyrat e forcimit të aftësive mbrojtëse evropiane dhe mundësinë e mbledhjes së fondeve për këtë qëllim. Disa shtete të BE-së janë të hapura për mundësinë e marrjes së një borxhi të ri të përbashkët, ndërkohë që Gjermania, Holanda dhe Austria kanë shprehur kundërshtimin ndaj kësaj ideje.

Përveç kësaj, zgjerimi i rolit të BEI-së në financimin e mbrojtjes mund të shndërrohet në një kompromis të mundshëm për të siguruar fonde për projektet mbrojtëse. BEI ka rritur ndjeshëm angazhimin e saj në sektorin e mbrojtjes gjatë vitit të kaluar, me investime që dyfishuan vlerën e tyre në 2024, duke arritur në një miliard euro. Për vitin 2025, BEI planifikon të dyfishojë sërish investimet në këtë sektor, duke arritur në dy miliardë euro./UBTNews/

Exit mobile version