Shumica e 43 personave të identifikuar si të prekur me variantin Omicron të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara janë të vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit dhe një e treta e kanë marrë edhe dozën përforcuese.
Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në ShBA thanë se nga 43 rastet me Omicron, 34 janë persona plotësisht të vaksinuar. 14 prej tyre madje kanë marrë edhe dozë përforcuese, ndonëse pesë prej këtyre rasteve u shfaqën më pak se 14 ditë pas dozës shtesë, para se të fillojë mbrojtja e plotë.
Ndonëse shifrat janë shumë të vogla, ato e shtojnë shqetësimin se vaksinat e tanishme kundër koronavirusit mund të ofrojnë më pak mbrojtje kundër variantit të ri shumë ngjitës, shkruan Reuters.
Varianti Omicron është raportuar në më shumë se 20 shtete të ShBA-së deri më tani, pasi u identifikua fillimisht në jug të Afrikës dhe në Hong Kong në fund të nëntorit.
Shumica e rasteve me Omicron në ShBA raportohet se kanë vetëm simptoma të lehta, përfshirë kollitjen dhe plogështinë. Simptoma tjera më të rralla janë vjellja, shkurtimi i frymëmarrjes ose vështirësitë në frymëmarrje, diarrea dhe humbja e aftësisë për t’i dalluar shijet ose aromat.
Rasti i parë i njohur me Omicron në Shtetet e Bashkuara u identifikua më 1 dhjetor te një person i vaksinuar plotësisht, që kishte udhëtuar nga Afrika Jugore.