UBT News

Shumica e iranianëve e kundërshtojnë dënimin me vdekje

Deri më tani, regjimi iranian ka ekzekutuar dy persona që morën pjesë në protestat antiqeveritare mbarëkombëtare. Protestat po zhvillohen në pjesë të ndryshme të vendit, me intensitet të ndryshëm dhe tashmë janë në muajin e katërt.

Dy burrat e ekzekutuar, Mohsen Shekari dhe Majidreza Rahnavard, ishin në të njëzetat e hershme. Gjykata Revolucionare e vendit akuzoi Rahnavardin për vrasjen e dy anëtarëve të forcave të sigurisë me thikë dhe plagosjen e katër të tjerëve. Shekari akuzohej për plagosjen me thikë të një pjesëtari të milicisë Basij dhe bllokimin e rrugës.

Të dy burrat u dënuan menjëherë pas arrestimit të tyre, për “moharebeh” – “luftë kundër Zotit” – një vepër e sanksionuar në ligjin penal iranian. Ashtu si ajo e “përhapjes së korrupsionit në Tokë”, kjo vepër mund të mbulojë çdo kërcënim ndaj rendit publik, me ose pa përdorimin e një arme specifike. Mjafton thjesht “përhapja e gënjeshtrave” për t’u cilësuar si “korrupsion”. Më e rëndësishmja, këto dy vepra dënohen shpejt dhe me vdekje nga Gjykatat Revolucionare.

Gjykatat Revolucionare dhe konsolidimi i pushtetit

Në rastin e Mohsen Shekarit, mjaftoi thjesht mbajtja e një thike në rrugë për ta dënuar me vdekje. Gjykatësi tha se duke vepruar kështu, ai kishte “shkaktuar frikë në mesin e popullatës”, shpjegon Mahmood Reza Amiry-Moghaddam, drejtor i OJQ-së me qendër në Oslo, Iran Human Rights. Ai kujtoi një rast tjetër që nxori në pah arbitraritetin flagrant të vendimeve të tilla.

“Disa vite më parë”, thotë ai, “një person i afërt me rrethin e [udhëheqësit fetar të Iranit Ajatollah] Khamenei përdori një revolver për të qëlluar në një makinë pas një aksidenti automobilistik, në mes të rrugës. Gjykata i hoqi të gjitha akuzat kundër tij”.

Megjithatë, institucioni i Gjykatave Revolucionare po përballet me kritika në Iran, sipas Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) të Gjermanisë. Gazeta raporton se këto dënime të fundit me vdekje kanë shkaktuar diskutim lidhur me atë nëse Gjykatat Revolucionare duhet të ekzistojnë ende, 43 vjet pas revolucionit. Avokatët thonë se ato janë të paligjshme dhe kanë kërkuar që ato të shfuqizohen.

Kryegjykatësi i Iranit, Gholam-Hossein Eje’i, e ka hedhur poshtë këtë kërkesë. Përgjigja e tij, siç citohet në FAZ, ishte: “Disa njerëz kritikuan ekzistencën e Gjykatave Revolucionare qysh në vitin 1980, duke thënë se pas fitores së Revolucionit ato nuk ishin më të nevojshme. Megjithatë koha ka treguar se sa efektive dhe thelbësore ata janë për Revolucionin”.

Një grup i hakerëve iranianë mori dokumente nga agjencia e lajmeve Fars që tregojnë se gjyqësori iranian po akuzon rreth 80 nga të arrestuarit për “luftë kundër Zotit” ose “përhapje të korrupsionit në Tokë”. Gazeta franceze Le Monde shkruan se këto dokumente tregojnë se grupi parlamentar ultra-konservator “Këshilli i Koalicionit të Forcave të Revolucionit Islamik” kishte nisur të bënte presion për shqiptimin e sa më shumë dënimeve me vdekje, edhe para se të dy të rinjtë të ekzekutoheshin.

Sipas grupit të të drejtave Amnesty International (AI), në mesin e dhjetorit të paktën 26 persona të arrestuar për shkak të protestave ishin në rrezik për t’u ekzekutuar./UBTNews/

Exit mobile version