Prishtinë, 7 qershor – Kosova bazuar në raportet e Policisë, duket se nuk po gjen një mënyrë për të zvogëluar aksidentet e shumta. Ato rezultojnë të shpeshta e po marrin jetë njerëzish. Përkundër lëvizjeve të kufizuara të qytetarëve për shkak të masave antiCOVID19, tremujori i parë i këtij viti, kishte shumë më tepër aksidente në krahasim me periudhën e njejtë të vitit paraprak.
Flakë Ajeti
Numri i aksidenteve të trafikut rrugor në Kosovë mbetet një shqetësim i madh dhe sfidë për organet e rendit. Shifrat në tre mujorshin e parë të këtij viti, janë alarmante. Periudha janar – mars e vitit 2020, regjistroi në total 3,308 aksidente. E njëjta periudhë e vitit 2021 pati rreth 1,100 aksidente më tepër, saktësisht, sipas Policisë së Kosovës, kishte 4,405 aksidente, edhe pse gjatë këtyre muajve, masat antiCOVID, nuk lejonin lëvizjen e qytetarëve gjatë 24 orëve të ditës.
Nga aksidentet e këtij cikli kohor të këtij viti, raporti policor tregon se 19 persona vdiqën, në 18 ndeshjet e regjistruara me pasojë fataliteti. Numër i njëjtë i të vdekurve është shënuar edhe një vit më parë, porse të lënduar në aksidente ishin rreth 400 më pak. Përkundër rritjes së aksidenteve, ajo që bie në sy në raportet policore, është se Policia e Kosovës ka shqiptuar më pak gjoba. Muaji janar, shkurt e mars i vitit 2020 ishte mbyllur me 108,455 tiketa kundërvajtjëse, ndërsa e njëjta periudhë kohore e vitit 2021, ka mbi 10 mijë tiketa më pak kundër pjesëmarrësve në komunikacion – gjithsej 98,074 sosh.
Pikërisht, mosmarrja e masave adapte në komunikacion, është faktori kryesor i aksidenteve të shumta, thotë eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj. Por jo vetëm, shton ai.
“Kosova nuk ka institucione as profesionale e as shkencore që do të merreshin me studimin e elementeve të faktorëve të cilët shkaktojnë aksidente në komunikacion”, thotë Dedaj për UBTNEWS.
Ai permend edhe mungesën e një ligji të sigurisë në komunikacion, për të cilin thotë se janë bërë përpjekje në një kohë, por që ende nuk është miratuar për t’u vënë në zbatim.
“Rritja e aksidenteve ka ardhur në mënyrë lineare edhe për shkak të mungeses së një ligji të tillë”, thotë ai.
Policia e Kosovës, thotë për UBTNEWS, se planifikojnë këtë vit ashpërsim të masave për të parandaluar aksidentet e shumta dhe ndëshkuar pjesëmarrësit që nuk u përshtaten rregullave e kushteve në komunikacion./UBTNews