Grupi parlamentar i VV-së e ka ftuar në interpelancë kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, në lidhje me shuarjen e Task-forcës antikorrupsion.
VV-ja konsideron se ky vendim është i dëmshëm dhe i shërben më shumë mirëmbajtjes së korrupsionit, dhe kësisoj pengon edhe ato pak mekanizma kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare e pasurisë publike.
“Nuk ka asnjë dyshim se kjo Qeveri e korruptuar edhe për nga mënyra e zgjedhjes, nuk ka as vullnet, as aftësi e as integritet për të luftuar korrupsionin në Kosovë. Por, shfuqizimi i Task-forcës është mesazh inkurajues për zyrtarët e korruptuar e të përfshirë në keqpërdorime të ndryshme të detyrës zyrtare dhe parasë publike. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës është vënë në anën e keqpërdoruesve, e kundër luftimit të korrupsionit.”, thotë VV-ja./UBTNews