Ministria e Tokës, Infrastrukturës dhe Transportit e Koresë së Jugut njoftoi të martën se ka shtyrë sërish vendimin për kërkesën e Google për leje eksportimi të të dhënave të hartave, duke theksuar se do të marrë një vendim përfundimtar vetëm pasi kompania të dorëzojë dokumentacion shtesë.
Sipas deklaratës zyrtare, Instituti Kombëtar i Informacionit Gjeografik do t’i japë Google një afat prej 60 ditësh pune, deri më 5 shkurt 2026, për të paraqitur materialet e kërkuara, raporton Telegrafi.
Koreja e Jugut kishte refuzuar kërkesat e ngjashme nga Google në 2007, duke përmendur shqetësime të lidhura me sigurinë kombëtare.
Në shtator, Google deklaroi se ishte e gatshme të plotësonte kërkesat e autoriteteve koreane për mbrojtjen e informacionit, duke siguruar që koordinatat e zonave brenda territorit të vendit të mos jenë të qasshme për përdoruesit, si brenda ashtu edhe jashtë Koresë së Jugut.
Kompania kishte pranuar gjithashtu të turbullonte imazhet e objekteve të ndjeshme për sigurinë.
Ministria koreane sqaroi se Google ende nuk ka dorëzuar një version të përditësuar të kërkesës që pasqyron këto ndryshime, duke theksuar se mospërputhjet midis deklaratave publike të kompanisë dhe dokumenteve të dorëzuara po e vështirësojnë procesin e shqyrtimit.
Google kërkon miratim për të eksportuar të dhëna hartash me shkallë 1:5,000 — ekuivalente me 50 metra për centimetër — të njëjta me ato që përdorin platformat vendase si Kakao Corp (035720.KS) dhe Naver (035420.KS).
Aktualisht, kompania operon me të dhëna në shkallë 1:25,000, që i konsideron të pamjaftueshme për navigim të saktë. /A.Z/UBT News/
