Bashkimi Evropian sot vendosi për ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e vizave për ministrat iranian të Arsimit dhe Kulturës, në raundin e pestë të sanksioneve kundër Teheranit për shtypjen e tij ndaj demonstruesve.
Masat e reja synonin 32 individë dhe dy entitete dhe kishin për qëllim kryesisht ligjvënësit, zyrtarët e gjyqësorit dhe autoritetet e burgjeve të akuzuar për përfshirje në represion, sipas gazetës zyrtare të BE-së.
Irani u trondit nga muaj të tërë protestash mbarëkombëtare vitin e kaluar pas vdekjes në paraburgim të 22-vjeçares Mahsa Amini në shtator — pas arrestimit të saj për një shkelje të dyshuar të kodit të veshjes.
Irani ka arrestuar të paktën 14 mijë njerëz në valën e protestave, sipas Kombeve të Bashkuara.
Autoritetet iraniane kanë ekzekutuar katër persona për rolin e tyre në trazira dhe kanë vendosur dënimin me vdekje për gjithsej 18, duke shkaktuar zemërim të gjerë ndërkombëtar.
Raundi i fundit i sanksioneve nga BE përfshinte ministrin e Kulturës, Mohammad Mehdi Esmaili për persekutimin e artistëve dhe kineastëve që nuk e mbështetën qeverinë.
Ndërsa, Ministri i Arsimit, Yousef Nouri u shtua në listën e zezë për shënjestrimin dhe ndalimin e nxënësve të shkollave të përfshirë në protesta./UBTNews/