Si rezultat i lobimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, nënkryetari i DHTIK, Arsim Selmonmusaj së bashku me bizneset sot kanë takuar kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama me qëllim të diskutimit rreth pezullimit të vendimit të komunës së Prishtinës për moslejim të qarkullimit të mjeteve motorike për furnizim me mallra nga subjektet afariste.
Në komunikatë thuhet se gjatë këtij takimi të përbashkët u diskutua lidhur me barrierat që paraqiten për vazhdimin e aktivitetit ekonomik të subjekteve afariste, nëse i njëjti vendim vazhdon të mbetet në fuqi nga komuna e Prishtinës.
“Pas diskutimit të zhvilluar në mes bizneseve dhe kryetarit të komunës së Prishtinës, Përparim Rama, të njëjtit u dakorduan parimisht që ky vendim të pezullohen për dhjetë (10) ditë pune si dhe sa më parë të formohen dy grupe punuese me përfaqësues nga bizneset dhe nga komuna e Prishtinës për të diskutuar rreth këtij vendimi, me qëllim që të arrijmë një marrëveshje e cila do të jetë e përshtatshme për të dyja palët”, thuhet në komunikatë.