Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka shtyrë për një mbledhje tjetër shqyrtimin e Raportit Vjetor Financiar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2021.
Kjo u bë pas kërkesës së kryesuesit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, i cili kërkoi që të lirohet para orës 11:00, pasi siç tha ka takim për shkak të zgjedhjeve që pritet të mbahen në veri të vendit.
“Gjatë vitit 2021, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është angazhuar në organizmin e dy proceseve zgjedhore: Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës dhe Zgjedhjeve Lokale. Buxheti final i KQZ-së në vitin 2021 ishte në vlere prej 16.796,517 euro dhe është shpenzuar në vlere prej 16.435,543 euro apo 98%. Buxheti i planifikuar për organizmin e zgjedhjeve te 14 shkurtit 2021 ishte në shumen: 5.578,712 euro. Pas përfundimit të zgjedhjeve, KQZ-ja ka miratuar raportin përfundimtar të shpenzimeve për organizimin e zgjedhjeve, sipas të cilit këto zgjedhje i kane kushtuar buxhetit t Kosovës: 4.469,764.00 euro”, tha Radoniqi.
Kundër shtyrjes u shpreh deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.
“Kjo mbledhje dhe ky raportim duhet të përfundojë, pasi që është një pikë e rëndësishme, ajo për votimin e Projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti”, tha Lekaj.
Anëtarët e këtij Komisioni u pajtuan që e njëjta mbledhje të mbahet një ditë tjetër.