UBT News

Shtyhet seanca fillestare për dy të dyshuarit për spiunazh

Seanca fillestare për dy të dyshuarit për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, është shtyrë për 17 mars.

Gjykatësi Rrahman Beqiri tha gjatë seancës të mërkurën se ka caktuar seancë të re fillestare për 17 mars, për shkak se i dyshuari Bedri Shabani kërkoi kohë për ta lexuar akuzën me të cilën ngarkohet.

Avokat i Shabanit, Besnik Berisha tha se klienti i tij ka nevojë për disa ditë kohë për ta kuptuar akuzën, para se ta bëjë deklarimin e tij rreth fajësisë.

Ndërkohë, Qerimi tha se e ka kuptuar aktakuzën dhe nuk ka asgjë të paqartë.

Muajin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë Shabanit dhe Qerimit, nën dyshimin se e kanë kryer veprën penale të spiunazhit.

Ata u arrestuan në qershor të vitit të kaluar në qytetin e Ferizajt.

Sipas aktakuzës, Bedri Shabani e ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, para fillimit të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë dhe deri në arrestimin e tij në vitin 2024.

Shabani akuzohet se ka mbledhur informata, dokumente dhe materiale që ndërlidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përfshirë eprorët e saj, si dhe për ngjarje dhe objekte specifike, si Spitali Ushtarak i UÇK-së – dhe ia ka dërguar ato BIA-s përmes komunikimeve telefonie, postës elektronike dhe takimeve fizike në territorin e Serbisë.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime, Shabani e ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Kosovës.

Ndërkohë, Muharrem Qerimi akuzohet se e ka ndihmuar BIA-n nga viti 2012 deri në vitin 2024, duke i dërguar asaj informata, dokumente dhe materiale të ndryshme në lidhje me luftën dhe pjesëtarët e UÇK-së, emrat e eprorëve të Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).

Qerimi është përmendur edhe për dyshimet për kryerje të veprës penale “mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Policia e Kosovës kishte konfiskuar armë, municione dhe maska ushtarake gazi në dy lokacionet e dy shtetasve kosovarë që u arrestuan për spiunazh të mërkurën në Ferizaj.

Exit mobile version