Shtyhet për të premten (18 dhjetor) paraqitja e parë e Nasim Haradinajt para Gjykatës Speciale në Hagë. Këtë e kanë konfirmuar Dhomat e Specializuara, teksa u bë e ditur se paraqitja e tij do të bëhet në orën 14:00.
“Siç është njoftuar në Kalendarin tonë të Gjykatës, paraqitja e parë e Nasim Haradinajt është shtyrë për të premten, më 18 dhjetor në orën 14:00”, thuhet në njoftim.
Siç njoftojnë Dhomat e Specializuara, kërkesën për shtyrjen e paraqitjes së Haradinajt e ka bërë avokati i tij, në mënyrë që t’i jepet më shumë kohë për të diskutuar aktakuzën me klientin e tij dhe për t’u përgatitur për seancën dëgjimore.
“Gjykatësi i Procedurës paraprake: a) Vendos të mbledhë seancën dëgjimore mbi paraqitjen fillestare të z.Haradinaj të Premten, 18 Dhjetor 2020, në orën 14:00; dhe b) Urdhëron këshilltarin që z.Haradinaj të paraqesë një version publik të redaktuar të kërkesës së tij për shtyrje (F00077) ose të tregojë se mund të jetë klasifikuar si publike”, thuhet më tej në njoftim./UBTNews