Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, tha se në veri të vendit mund të kishte trazira e tensione nëse nuk do të shtyhej vendimi për lirimin e ndërtesës së Mitrovicës ku janë të vendosura strukturat paralele.
Ai shton se Lista Serbe në mënyrë sistematike është shprehur kundër këtij vendimi. Sipas tij, lirimi i objektit komunal nga aspekti legjitim është kërkesë që duhet të zbatohej nga Policia e Kosovës.
“Sa i përket çështjes së vendimit të marr nga kryetari i Komunës së Mitrovicës së veriut për ta liruar objektin komunal në të cilin janë të vendosur strukturat paralele të Serbisë, unë mendoj në aspektin legal e legjitim është një kërkesë që do të duhej të zbatohej nga Policia e Kosovës. Sipas të gjitha gjasave do të kemi një aksion policor në rast se palët do të barikadohen dhe nuk do ta lirojë objektin. A mund të prodhojnë një reaksion bomergan, sipas të gjitha gjasave mund të presim që tensionet në pjesën veriore të jenë premantet me qenë se është krijuar një narracion politik i ditëve të fundit përmes platformës politike të Listës Serbe të cilët në mënyrë sistematike kanë shprehur se ka një represion politik nga Qeveria e Prishtinës zyrtare”, tha ai.
Komuna e Mitrovicës së Veriut ka marrë vendim që të shtyhet afati për lirimin e ndërtesës në lagjen e Boshnjakëve, që shfrytëzohet nga strukturat paralele të Serbisë.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. Sipas tij, sot inspektorati do të ua kumtoj vendimin palëve për shtyrjen e afatit deri në 14 ditë.
Ndryshe, përmes një njoftimi komuna kishte bërë të ditur se pas lirimit të kësaj ndërtese do të ketë intervenime për rregullimin e objektit.
Ndërsa, Lista Serbe, përmes një deklarate, kishin bërë të ditur se punonjësit e institucioneve të Serbisë janë njoftuar se duhet të largohen nga objekti brenda tri ditësh.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë tha të mërkurën se vendimi i autoriteteve lokale në Mitrovicë të Veriut për largimin e institucioneve serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve nuk është marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, e as në përputhje me kërkesat e saj për mosndërmarrjen e veprime që mund ta përshkallëzojnë gjendjen.