UBT News

Shtyhen planet për lansimin e ‘Instagram Kids’ pas reagimeve të ashpra

Facebook tashmë po shqyrton lansimin e versionit “Instagram Kids” por në të njejtën kohë, Adam Mosseri, kreu i Instagram, thotë se lansimi i një aplikacioni për fëmijët nën 13 vjeç është ende “gjëja e duhur për të bërë”, transmeton UBT News.

Lajmet për projektin Instagram Kids erdhën në fillim të këtij viti. Kritikët përfshinin më shumë se 40 prokurorë të përgjithshëm të shtetit të cilët i kërkuan Facebook-ut të ndalonte projektin, duke përmendur rreziqet që bazoheshin në hulumtimet të cilat tregonin se mediat sociale mund të jenë të dëmshme për mirëqenien emocionale dhe mendore të fëmijëve.

Mosseri, në një postim në blog të hënën, parashikoi që kritikët e “Instagram Kids” do të interpretojnë ndërprerjen e zhvillimit të aplikacionit “si një pranim se projekti është një ide e keqe. Nuk është kështu. Realiteti është se fëmijët tashmë janë online dhe ne besojmë se zhvillimi i përvojave të përshtatshme për moshën, të krijuara posaçërisht për ta, është shumë më i mirë për prindërit sesa ku jemi sot”.

“Instagram Kids ishte menduar për adoleshentët (të moshës 10-12 vjeç) dhe do të kërkojë lejen e prindërve për t’iu bashkuar aplikacionit.

Aplikacioni nuk do të ketë reklama dhe do të filtrohet për përmbajtje dhe veçori të përshtatshme për moshën. Ndalimi [përkohshëm] i Instagram Kids do të na japë kohë për të punuar me prindërit, ekspertët, politikëbërësit dhe rregullatorët, për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të demonstruar vlerën dhe rëndësinë e këtij projekti për adoleshentët më të rinj në internet sot”, shkroi Mosseri.

Vendimi për të ndaluar Instagram Kids vjen gjithashtu pas një raporti të Wall Street Journal në fillim të këtij muaji që citoi hulumtimet e vetë Instagramit që tregojnë se aplikacioni është “toksik” për vajzat adoleshente.

Për shembull, 32% e vajzave adoleshente thanë se kur ndiheshin keq për trupin e tyre, “Instagram-i i bëri ato të ndiheshin edhe më keq”, sipas një raporti kërkimor të muajit mars më 2020. Ndërsa, Mosseri dhe drejtuesit e tjerë të Facebook kishin kundërshtuar raportimin e Journal, përcjell UBT News.

Të dielën, Facebook ndau një postim nga Pratiti Raychoudhury, zëdhënëse dhe shefe e kërkimit në Facebook, në të cilën ajo argumentoi se karakterizimi i WSJ për kërkimin e brendshëm nuk është “i saktë” dhe i mungon konteksti. Në fakt, sipas saj, në 11 nga 12 çështjet e mirëqenies, vajzat adoleshente që thanë se luftonin me disa çështje gjithashtu shtuan se Instagram i bëri ato [të ndihen] më mirë sesa më keq.

“Ne bëjmë kërkime si kjo për ta bërë Instagram-in më të mirë”, shkroi Mosseri në postimin e së hënës. “Kjo do të thotë që njohuritë tona shpesh hedhin dritë mbi problemet, por ato frymëzojnë ide të reja dhe ndryshime në Instagram”.

Mosseri gjithashtu theksoi se konkurrentët si YouTube dhe TikTok gjithashtu kanë versione të aplikacionit të tyre posaçërisht për fëmijët nën 13 vjeç./UBTNews

Exit mobile version