Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e rrymës, është në diskutim publik. Sipas saj, ky propozim nuk është final dhe se do të jepen propozime shtesë nga qeveria.
“Propozimi i ZRRE-së nuk është final, ai është në diskutim publik. Ne do ta trajtojmë raportin, do të kërkojmë sqarime shtesë dhe do të japim propozime për aty ku mendojmë se gjërat mund të bëhen më mirë. Mirëpo, një gjë është e qartë dhe ka qenë e qartë edhe para se të shohim këtë draft-raport, kjo është që kostot e importit dhe kostot e sektorit janë rritur shumë. Dhe që subvencionimi është i pashmangshëm në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të mos prekën ndjeshëm. Andaj ne kemi vendosur që në mënyrë proaktive të ndërhyjmë duke zotuar një subvencion prej 75 milionë euro. Për të mos lejuar që e gjithë barra e kësaj rritje të jashtëzakonshme, jo vetëm në Kosovë por në gjithë Evropën t’i bie qytetarëve dhe bizneseve tona”, ka deklaruar ajo.
Ajo u zotua se ky subvencion do të zbusë rritjen e tarifave të energjisë për të gjithë qytetarët dhe bizneset në vend.
“Për amvisëritë që konsumojnë deri në 600 kilovatë në muaj, ZRRE ka propozuar rritje deri në 9 përqind. Pas subvencionit të qeverisë këto amvisëri do të kenë 0 për qind rritje të tarifës. Për bizneset e Kosovës, ZRRE ka propozuar rritje prej 9 përqind, pas subvencionit të qeverisë edhe këto do të kenë 0 për qind rritje të tarifës. Për konsumatorët shtëpiakë, mbi 600 kilovat, subvencioni i qeverisë do të zbus dukshëm rritjen tarifore. ZRRE ka propozuar që të jetë 0,21 euro për tarifën e lartë dhe 0,09 për kilovat për tarifën e ulët. Ndërsa, pas subvencionit, tarifa e lartë i bie të jetë 0,14 euro për tarifën e lartë dhe 0,06 për tarifën e ultë”, ka njoftuar Rizvanolli në këtë konference për media.