Afrika Jugore të mërkurën regjistroi shifër rekorde të infeksioneve në valën e katërt, që besohet se është shkaktuar nga varianti Omicron i koronavirusit.
Instituti Kombëtar për Sëmundje Ngjitëse raportoi 26 mijë e 976 raste të reja në 24 orët e fundit, duke e thyer rekordin e mëparshëm, të regjistruar në korrik me 26 mijë e 485 raste.
Përpos infeksioneve, në këtë shtet u raportuan edhe 54 vdekje të reja të lidhura me COVID-19 dhe 620 hospitalizime shtesë, shkruan Reuters.
Afrika Jugore, që është shteti më i prekur nga pandemia në Afrikë, e paralajmëroi botën në nëntor për paraqitjen e variantit të ri, duke shkaktuar alarm për rritje globale të numrit të infeksioneve.
Omicroni tashmë është regjistruar në më shumë se 70 shtete në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka cilësuar variant shqetësues.
Shkencëtarët besojnë se ky variant është më ngjitës për shkak të përhapjes së shpejtë, ndonëse thonë se është shumë herët për të arritur në përfundime për ashpërsinë e sëmundjes që ai e shkakton.