Në një kohë kur Libani vazhdon të rrënohet ekonomikisht, një numër në rritje të rinjsh nga veriu i varfër i vendit, po i bashkohen grupit të Shtetit Islamik. Por siç njofton nga Tripoli korrespondenti i Zërit të Amerikës Nicole Di Ilio, nuk është vetëm varfëria apo ideologjia ekstreme ajo që i shtyn ata në duart e militantëve.
Ndërsa Libani rrëshqiti më thellë në mjerim ekonomik gjatë vitit 2022, të rinjtë janë zhdukur nga veriu i vendit i lënë pas dore, veçanërisht nga Tripoli, për t’u shfaqur më vonë në Irak, ku disa i janë bashkuar Shtetit Islamik.
Mahmmoud Seif pa vëllain e tij Bakr për herë të fundit në dhjetor 2020. Bakr u largua befas nga shtëpia dhe shkoi të merrte armët përkrah grupit radikal islamik. Një muaj më vonë, Mahmmoudi tha se Bakri u vra gjatë një sulmi ajror të qeverisë irakiane që synonte militantët e dyshuar në Irakun lindor.
“Bakri u zgjua në mëngjes dhe i tha mamasë së tij të përgatiste drekën. Më pas, u largua dhe nuk u kthye më. Bakri u zhduk”, thotë Mahmmoudi.
Migrimi i të rinjve ka ngjallur frikën e një vale të re rekrutimi radikal, duke përfituar nga zhgënjimi dhe dëshpërimi, i nxitur nga shkatërrimi ekonomik i Libanit dhe tensionet gjithnjë e më të pranishme sektare.
“Njerëzit në Liban po i bashkohen Shtetit Islamik për arsye të ndryshme: papunësia, varfëria dhe mungesa e shërbimeve bazë. Por ka edhe një faktor tjetër: policia arreston të rinjtë vetëm për shkak të dyshimeve për lidhje me militantët dhe më pas ata kalojnë vite në burg pa gjyq. Kjo krijon zhgënjim dhe dëshirën për hakmarrje”, thotë Mohammad Sablouh, Drejtor i Qendrës për të Drejtat e të Burgosurve.
Udhëheqës fetarë si Sheikh Bilal Baroudi, imami i Xhamisë al-Salam të Tripolit, thonë se qyteti është terreni kryesor për rritjen e ekstremizmit.
“Tripoli është një qytet konservator. Është toka e njerëzve që janë kundër regjimit sirian. Këta njerëz përfaqësojnë brezin e ri plot krenari dhe guxim. Ata janë të gatshëm të luftojnë”, thotë Sheikh Bilal Baroudi.
Në përgjithësi, lufta për mbijetesë është arsyeja kryesore që i shtyn disa të rinj të bashkohen me grupet radikale islamike.
“Iu bashkova DAESH-it sepse grupi më jepte rreth 500 dollarë në muaj. Doja të jetoja me dinjitet dhe para se t’i bashkohesha grupit, nuk munda ta bëja këtë”, thotë Mohammad, militant i Shtetit Islamik.
Në këtë peizazh varfërie dhe pakënaqësie, rekrutuesit e Shtetit Islamik vazhdojnë të qarkullojnë, duke shpresuar të tërheqin të rinjtë libanezë të etur për të ikur nga një vend në kolaps./VOA