Prokurorët e përgjithshëm të disa shteteve kanë nisur një hetim mbarëkombëtar për aplikacionin TikTok dhe efektet e tij negative në shëndetin mendor të përdoruesve të rinj, duke zgjeruar kontrollin e qeverisë ndaj platformës jashtëzakonisht popullore të videove. Hetimi u bë i ditur të mërkurën nga një numër shtetesh të udhëhequra nga Kalifornia, Florida, Kentaki, Massachusetts, Nebraska, Nju Xhersi, Tenesi dhe Vermonti.
Ligjvënësit amerikanë dhe rregullatorët federalë kanë kritikuar TikTok, duke përmendur se praktikat dhe promovimi i përmbajtjes, mund të rrezikojnë shëndetin fizik dhe mendor të përdoruesve të rinj. Platforma ka rreth 1 miliard përdorues në muaj dhe është veçanërisht e popullarizuar te adoleshentët dhe fëmijët më të vegjël.
Muajin e kaluar, Teksasi nisi hetimet mbi shkeljet e pretenduara të privatësisë së fëmijëve në TikTok dhe lidhur me lehtësimin e procedurave të trafikimit të qenieve njerëzore.
“Fëmijët tanë po rriten në epokën e mediave sociale – dhe shumë mendojnë se duhet të krahasohen me versionet e filtruara të realitetit që shohin në ekranet e tyre. Ne e dimë se kjo është taksë shkatërruese në shëndetin mendor dhe mirëqenien e fëmijëve”, tha Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta në një njoftim për shtyp.
Sipas Bonta-s, hetimi synon të përcaktojë nëse TikTok po shkel ligjin në promovimin e platformës së tij te të rinjtë.
Zyrtarët qeveritarë dhe mbrojtësit e sigurisë së fëmijëve pohojnë se algoritmet kompjuterike të TikTok që shtyjnë videopërmbajtjet te përdoruesit mund të nxisin çrregullime lidhur me ushqyerjen, e në raste më të këqija mund të çojnë drejt vetëvrasjes.
Nga TikTok thonë se fokusohen te praktikat e përshtatshme për moshën, duke vënë në dukje se disa veçori, të tilla si mesazhet direkte nuk janë të disponueshme për përdoruesit më të rinj. Kompania thotë se ka në dispozicion mjete, të tilla si menaxhimi i kohës para ekranit, për të ndihmuar të rinjtë dhe prindërit të moderojnë sa kohë kalojnë fëmijët në aplikacion dhe çfarë shohin.
“Ne kujdesemi thellësisht për ndërtimin e një përvoje që ndihmon për të mbrojtur dhe mbështetur mirëqenien e komunitetit tonë, dhe vlerësojmë që prokurorët e përgjithshëm të shtetit janë duke u fokusuar në sigurinë e përdoruesve të rinj. Ne mezi presim të ofrojmë informacion mbi mbrojtjen e sigurisë dhe privatësisë që kemi për adoleshentët”, tha kompania TikTok të mërkurën.
Në fillim të vitit të kaluar, pasi rregullatorët federalë urdhëruan TikTok të zbulojë se si praktikat e tij prekin fëmijët dhe adoleshentët, platforma shtrëngoi praktikat e saj të privatësisë për përdoruesit nën moshën 18-vjeçare.
Ndërsa popullariteti i tij është rritur, TikTok është përballur me një breshëri kritikash nga zyrtarët shtetërorë, rregullatorët federalë, avokatët e përdoruesve dhe ligjvënësit e të dyja palëve. Republikanët insistojnë në lidhjet e kompanisë me Kinën. TikTok është në pronësi të ByteDance me bazë në Pekin.
“TikTok kërcënon sigurinë, shëndetin mendor dhe mirëqenien e fëmijëve tanë”, tha në një seancë dëgjimore të martën republikanja Cathy McMorris Rodgers nga Uashingtoni, republikane e lartë në Komitetin e Energjisë dhe Tregtisë në Dhomë.
Në fund të vitit të kaluar, një koalicion i ngjashëm i prokurorëve të përgjithshëm të shtetit filloi një hetim mbi platformën e ndarjes së fotografive në Instagram, në pronësi të platformës Meta të Facebook dhe efektet e saj te të rinjtë. Veprimi erdhi pasi ish-menaxherja e produkteve të Facebook, Frances Haugen zbuloi një hulumtim të brendshëm të kompanisë që tregonte dëm të dukshëm për disa përdorues adoleshentë të Instagramit.
Në fjalimin e tij për gjendjen e bashkimit të martën mbrëma, presidenti Joe Biden i kërkoi Kongresit të forcojë mbrojtjen e privatësisë për fëmijët, duke përfshirë ndalimin e reklamave të synuara ndaj tyre dhe masat që synojnë reduktimin e promovimit të përmbajtjes që kontribuon në varësinë.
Kritikët e aplikacionit TikTok kanë vënë në dukje edhe incidentet që dolën nga përdorimi i TikTok-ut, si psh. sfida virale e quajtur “devious licks”./UBTNews/