Spanja po synon t’i vaksinojë personat e moshës 12-17 vjeç para fillimit të vitit të ri shkollor në shtator. Ministrja e Shëndetësisë, Carolina Darias i tha televizionit publik TVE, se do t’ia propozojë këtë vendim Komisionit të Shëndetit Publik, i cili pastaj duhet ta aprovojë këtë vendim.
Plani është të imunizohen personat e moshës 12-17 vjeç “dy javë para” fillimit të vitit të ri shkollor. Agjencia Evropiane e barnave aprovoi javën e kaluar përdorimin e vaksinës Pfizer/BioNTech për fëmijët e moshës 12-15 vjeç, vaksina e parë që mori dritën jeshile për përdorim te fëmijët në Bashkimin Evropian.
Franca njoftoi të mërkurën se do të fillojë me vaksinimin e 12-18 vjeçarëve nga 15 qershori. Italia filloi dje me vaksinimin e fëmijëve të moshës mbi 12-vjeçare, përderisa edhe Gjermania njoftoi se po fillon vaksinimi i fëmijëve të moshës mbi 12-vjeçare./UBTNews