Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian nga Evropa Qendrore dhe Lindore i kanë bërë thirrje Rusisë që të tërheqë, pa kushte, trupat e saj nga Ukraina dhe janë zotuar se do ta mbështesin Kievin “për aq kohë sa të jetë e nevojshme” në mënyrë që të zmbrapsë pushtimin në shkallë të plotë të nisur nga Moska.
Në një deklaratë të përbashkët të miratuar në Bukuresht, 12 shtete nga Nisma e Tri Deteve u zotuan të luajnë rol kyç në rindërtimin e Ukrainës pasi të ketë përfunduar lufta.
“Ne mbesim të përkushtuar që të ofrojmë mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, u tha në deklaratë.
“Ne jemi të përkushtuar të luajmë rol kyç në rindërtimin e Ukrainës”, u shtua në deklaratë, ku agresioni rus u përshkrua si “shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar”.
Forumi nisi me fjalimin e ministrit të Mbrojtjes së Rumanisë, Angel Tilvar, i cili tha se copëzat e një droni rus që ishte përdorur në një sulm kundër Ukrainës mund të kenë rënë në territorin e shtetit të tij, që është anëtar i NATO-s.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, iu adresua forumit përmes video-lidhjes. Ai tha se sulmet e fundit ruse në portet e Danubit janë “në kufi me tri detet tona”.
Portet në Danub janë bërë rrugë kyçe për eksportimin e drithërave ukrainase pasi në korrik Rusia u tërhoq nga Nisma e Detit të Zi për eksportin e drithërave.
E iniciuar më 2016, Nisma e Tri Deteve përfshin shtetet e BE-së: Rumaninë, Bullgarinë, Hungarinë, Poloninë, Sllovakinë, Slloveninë, Austrinë, Estoninë, Republikën Çeke, Kroacinë, Letonia dhe Lituania. Në samitin e Bukureshtit, Greqia fitoi anëtarësimin, ndërkaq Ukraina dhe Moldavia u bënë shtete të asociuara pjesëmarrëse.
Kjo nismë, siç thuhet në ueb-faqen e saj, “lindi nga interesat e përbashkëta për zhvillimin e infrastrukturës së transportit, energjisë dhe lidhjeve digjitale në aksin veri-jug të BE-së”./REL