Qeveria amerikane ka kërkuar nga pronarët kinezë të TikTok-ut të shesin aksionet e tyre ose do të përballen me ndalim të aplikacionit në Amerikë.
Të mërkurën u përhapën lajmet se administrata e Bidenit po ndërmerr hapa dramatik për të bllokuar aplikacionin e shpërndarjes së videove në SHBA mes rritjes së frikës se ky aplikacion po i shpërndan të dhënat me qeverinë kineze.
Në vitin 2020, Donald Trump u pengua nga gjykatat amerikane kur u përpoq të ndalonte TikTok-un, i cili është në pronësi të ByteDance që ndodhet në Pekin.
Kina iu përgjigj kërkesave të Shtëpisë së Bardhë, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mungesë dëshmish se TikTok-u përbën kërcënim për sigurinë e saj kombëtare.
Wang Wenbin nga Ministria e Jashtme kineze tha: “SHBA duhet të ndalojë përhapjen e dezinformatave në lidhje me sigurinë e të dhënave, të ndalojë shtypjen e kompanisë përkatëse dhe të sigurojë një mjedis të hapur, të drejtë dhe jodiskriminues për bizneset e huaja që të investojnë dhe operojnë në SHBA”.
TikTok, i cili ka më shumë se 100 milionë përdorues amerikanë, tashmë është ngulfatur nga Shtëpia e Bardhë pasiqë urdhëroi agjencitë qeveritare të fshijnë aplikacionin në pajisje dhe sisteme federale.
Mbi 30 shtete ndoqën këtë shembull, duke penguar stafin të përdorë platformën e mediave sociale në pajisje të cilat janë në pronësi të qeverisë.
Kina denoncoi SHBA-në për ndalimin e TikTok-ut, duke thënë se ajo ka “abuzuar me pushtetin shtetëror”./UBTNews/