UBT News

Shtëpia e Bardhë i ndalon qasjen agjencisë AP për shkak të mospërdorimit të “emrit të ri” të Gjirit të Meksikës

Shtëpia e Bardhë e ka ndaluar agjencinë e lajmeve Associated Press (AP) të ketë qasje në ngjarjet zyrtare për të tretën ditë radhazi për shkak të refuzimit të organizatës mediatike për të miratuar termin “Gjiri i Amerikës” në vend të “Gjiri i Meksikës”, siç mandatohet nga një urdhër ekzekutiv i fundit nga presidenti i SHBA-së Donald Trump.

Të enjten, gazetarët e AP-së u bllokuan nga pjesëmarrja në dy ngjarje të Zyrës Ovale, përfshirë ceremoninë e betimit të Sekretarit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F. Kennedy Jr., dhe një konferencë të përbashkët për media midis Trumpit dhe kryeministrit indian Narendra Modi, konfirmoi për “Washington Post” një zëdhënës i agjencisë.

Më vonë gjatë ditës, redaktorja ekzekutive e AP-së, Julie Pace, në një deklaratë, e quajti këtë “një përshkallëzim thellësisht shqetësues të përpjekjeve të vazhdueshme të administratës për të ndëshkuar Associated Press-in për vendimet e saj editoriale”.

Kjo është dita e tretë që gazetarëve të AP-së u ndalohet të raportojnë për presidentin. Një dëm i jashtëzakonshëm për miliarda që mbështeten në AP-në për lajme jopartiake“.

Gjatë konferencës të mërkurën, sekretarja për media Karoline Leavitt mbrojti vendimin, duke thënë se administrata “(rezervon) të drejtën për të vendosur se kush do të shkojë në Zyrën Ovale”.

Është një fakt që masa ujore në brigjet e Luizianës quhet ‘Gjiri i Amerikës’ dhe nuk jam e sigurt pse mediat nuk duan ta quajnë atë kështu, por kjo është ajo që është“, u tha Leavitt gazetarëve. Ajo vuri në dukje veprimet e ndërmarra nga Google dhe Apple për të bërë riemërtimin në aplikacionet e tyre të hartave në përputhje me udhëzimet e presidentit për përdoruesit amerikanë.

AP-ja i ka bërë thirrje shefes së kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, që të anulojë ndalimin, por ende nuk ka marrë një përgjigje. Mbrojtësit e lirisë së medias e kanë dënuar masën si shkelje të parimeve të Amendamentit të Parë.

Pavarësisht kufizimeve, fotografët e AP-së kanë vazhduar të mbulojnë ngjarjet e Shtëpisë së Bardhë. Ekspertët e gazetarisë sugjerojnë se situata mbetet një sprovë vendosmërie midis administratës dhe një prej organizatave më të mëdha të lajmeve në botë.

Trump, pasi mori detyrën më 20 janar, urdhëroi riemërtimin e ujërave që kufizohen me jugun e SHBA-së, Meksikën dhe Kubën.

Sistemi i Informacionit të Emrave Gjeografikë të SHBA-së e përditësoi zyrtarisht emrin të dielën.

Exit mobile version