Të martën, Shtëpia e Bardhë krijoi një llogari zyrtare në TikTok, “@whitehouse”, për të përcjellë mesazhet e Presidentit Donald Trump te më shumë se 170 milionë përdorues në SHBA.
Videoja e parë e postuar mbrëmjen e 19 gushtit përmbante deklaratën e Trump: “Unë jam zëri juaj”, ndërsa përshkrimi shoqërues ishte: “Amerikë, JEMI KTHYER! Çfarë po ndodh me TikTok?”. Vetëm tre orë pas publikimit, llogaria arriti 25,000 ndjekës dhe aktualisht numëron rreth 70,000.
Presidenti Trump e sheh TikTok si mjet që e ndihmoi të fitonte mbështetjen e votuesve të rinj në zgjedhjet presidenciale 2024, megjithëse shqetësimet për privatësinë mbeten të larta, pasi të dhënat e përdoruesve amerikanë mund të përfundojnë tek qeveria kineze.
Administrata ka tentuar për muaj të tërë që ByteDance të shesë TikTok te investitorë amerikanë, sipas ligjit të miratuar nga Kongresi, që kërkon ndërprerjen e operacioneve të TikTok në SHBA nëse nuk realizohet shitja deri 19 janar 2025. Trump ka zgjatur disa herë këtë afat, duke e shtyrë tani për 17 shtator.
Trump ka mbi 15 milionë ndjekës në llogarinë e tij personale në TikTok, “@realdonaldtrump”, dhe përdor aktivisht rrjetin Truth Social, dhe platformën “X”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, deklaroi: “Administrata Trump është e përkushtuar t’ua përcjellë popullit amerikan sukseset historike të Presidentit Trump në çdo platformë të mundshme. Mesazhet e tij dominuan TikTok gjatë fushatës, e tani jemi të entuziazmuar për të ndërtuar mbi këto suksese në një mënyrë që asnjë administratë më parë nuk e ka përdorur.”
Në një nga postimet e fundit, Shtëpia e Bardhë publikoi video me momente ikonike të Presidentit, e cila fillon me deklaratën: “Tani jam unë gjuetari.”