Shtëpia e Bardhë akuzoi Rusinë se është përgjegjëse për sulmet e fundit kibernetike që synojnë ministrinë e mbrojtjes të Ukrainës dhe bankat kryesore.
Sulmet e kësaj jave ishin me “ndikim të kufizuar” pasi zyrtarët ukrainas ishin në gjendje t’i kthenin shpejt rrjetet e tyre në internet, por është e mundur që ata po vendosnin bazat për ndërhyrje më shkatërruese, tha Anne Neuberger, zyrtarja kryesore kibernetike e Shtëpisë së Bardhë.
Ajo tha se SHBA-ja i kishte lidhur me shpejtësi sulmet me Rusinë dhe po fajësonte publikisht Kremlinin. Ajo tha se nuk kishte asnjë informacion që tregonte se SHBA-të do të ishin në shënjestër të një sulmi kibernetik.
Zyrtarët ukrainas i quajtën sulmet si ‘më të këqijat në historinë e vendit’.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi të premten se sanksionet ndërkombëtare të premtuara nga SHBA nëse presidenti rus Vladimir Putin vendos të dërgojë trupa për të pushtuar Ukrainën do ta bëjnë Rusinë një “shtet paria”.
Moska ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka ndërmend të pushtojë Ukrainën, por kërkon garanci nga NATO se Ukraina dhe shtetet e tjera ish-sovjetike nuk do të pranohen në aleancë./UBTNews/