Shtatë vjet pas Marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike, vendet kanë mbetur shumë prapa premtimeve dhe objektivave që kanë marrë për të luftuar ndryshimet klimatike.
Nëse vendet ruajnë politikat e tyre aktuale të klimës, temperaturat globale do të rriten në 2.6 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale deri në vitin 2100, sipas Climate Action Monitor, krijuar nga Climate Analytics dhe NewClimate Institute jofitimprurëse me bazë në Gjermani.
Kjo është shumë më e madhe se kufiri prej nën 2 gradë Celsius që marrëveshja historike e klimës u përpoq të arrinte në një përpjekje për të parandaluar pasojat më katastrofike të ngrohjes globale.
Edhe nëse vendet reduktojnë emetimet e tyre të karbonit në objektivat që premtuan në Marrëveshjen e Parisit, temperaturat do të rriten në 2.4 gradë Celsius deri në vitin 2100, raportoi monitoruesi, duke shtuar se nëse ata përmbushin objektivat e tyre të përditësuar të klimës për vitin 2030, kjo do të nënkuptonte një ngitje prej 2.1 gradë Celsius.
Sipas një raporti të 200 shkencëtarëve, edhe nëse vendet reduktojnë shpejt emetimet e tyre të karbonit, temperatura e planetit do të rritet me të paktën 1.5 gradë Celsius në 20 vjetët e ardhshëm, duke shkaktuar valë të nxehti, thatësirë dhe përmbytje.
Niveli i detit gjithashtu do të rritet, me zhdukjen e 90% të shkëmbinjve koralorë në oqeane, rritjen e aciditetit të ujit, shkrirjen e akullnajave polare dhe zhdukjen e shumë specieve bimore dhe shtazore.
Këto pasoja do të jenë shumë më të rënda nëse temperaturat kalojnë 2 gradë Celsius, ndërsa vlerësimi mesatar i ngrohjes është i kufizuar vetëm në 1.8 gradë Celsius nëse të paktën 140 vende arrijnë zero neto.
Trajtimi i ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike ka qenë një çështje që nga vitet 1990.
Hapi i parë ishte Konventa Kuadër e OKB-së për Ndryshimet Klimatike e vitit 1992 (UNFCCC), e cila rezultoi në krijimin e një forumi vjetor, Konferenca e Palëve (COP).
Protokolli i Kiotos, marrëveshja e parë ligjërisht e detyrueshme për klimën e përpunuar në vitin 1997, kërkon që vendet e zhvilluara të reduktojnë emetimet e tyre të gazeve serrë me 5% nën nivelet e vitit 1990. Dokumenti nuk i detyron vendet në zhvillim, duke përjashtuar kështu vende si Kina dhe India — të cilat emetojnë disa nga nivelet më të larta të dyoksidit të karbonit.
E nënshkruar më 12 dhjetor 2015, COP21 në Paris ishte marrëveshja më e rëndësishme për ndryshimet klimatike në kohët e fundit, me të gjithë nënshkruesit që angazhohen për zero emetime neto deri në vitin 2050. Vetëm Eritrea, Irani, Libia dhe Jemeni nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen.
Marrëveshja planifikon vlerësime të progresit çdo pesë vjet për arritjen e objektivave të vendeve, me të parën të planifikuar për vitin 2023. Megjithatë, nuk ka mekanizma detyrues për arritjen e këtyre objektivave.
Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), i themeluar në vitin 1998 si një organ i OKB-së, tha në një raport të vitit 2021 se temperatura mesatare e planetit ishte rritur tashmë me 1.1 gradë Celsius në 150 vjetët e fundit.
Mbajtur në Egjipt muajin e kaluar, samiti COP27 është kritikuar për arritjen e progresit të pamjaftueshëm në drejtim të politikave për të reduktuar emetimet e karbonit.
Delegacionet në samit ishin ende në gjendje të arrinin një fond për humbjen dhe dëmtimin e klimës për vendet e varfra të ndikuar më shumë nga ndryshimet klimatike, pavarësisht se kontribuuan më së paku në emetimet globale të karbonit.
COP27 u bëri thirrje gjithashtu bankave shumëpalëshe të zhvillimit të përditësojnë prioritetet e tyre për financimin e klimës, ndërsa vendet diskutuan gjithashtu reduktimin e përdorimit të qymyrit, megjithëse lëndët djegëse të tjera fosile u lanë jashtë agjendës së tij./AA