U bënë dy vite prej kur shpërtheu pandemia COVID-19, një vit që kur filloi shpërndarja e vaksinave dhe një muaj prej kur varianti Omicron përmbysi ëndrrat për rimëkëmbje. Derisa po i afrohemi fundit të vitit, këtu i gjeni shtatë mësimet që i morët nga viti 2021.
1.Merrni vendime bazuar në të dhënat në kohë reale
Të dhënat janë gjaku i shëndetit publik. Të dhënat në kohë reale i mundësuan Koresë së Jugut, Izraelit dhe Mbretërisë së Bashkuar të lëvizin shpejt dhe ta informojnë botën rreth vaksinimit, varianteve, maskave dhe çështjeve të tjera. Disa vende gabuan – duke u hapur shpejt, duke mos i përdorur maskat, pastaj te shpërndarja e vaksinave – por gabimi më i madh qëndron që nuk vepruan sipas të dhënave. Të gjitha vendet duhet t’i përmirësojnë sistemet e të dhënave.
2.Komunikoni në mënyrë efektive: “Bëhu i pari, ji i drejtë dhe i besueshëm”
Dhënia e informacioneve dhe rekomandimeve të bazuara në fakte është e vështirë, veçanërisht tani që politizimi, mungesa e informacionit dhe dezinformimi ‘luftojnë’ për sytë dhe veshët e publikut, ndërkohë që ushqejnë frikën e tyre. Liderët efektivë që komunikuan me sukses, ishin në gjendje t’i shtyjnë njerëzit që kuptojnë rreziqet dhe të marrin veprime të duhura.
Zelanda e Re, Senegali dhe autoritetet shëndetësore indiane ndërtuan besim dhe mirëkuptim duke çuar në zbatimin më të gjerë të masave zbutëse. Vetëdijësimi i njerëzve rreth rreziqeve nga COVID-19 ndikon që ata të marrin vendime të duhura.
3.Ndërtimi i besimit përmes lidershipit politik jopartiak
Pavarësisht se sa i përgatitur të jetë një vend sa i përket infrastrukturës shëndetësore, kapaciteti shëndetësor mund të minohet nga lidershipi i keq politik. Kjo është arsyeja pse qeverisja e mirë, e mbështetur në politika të bazuara në prova dhe komunikim të qartë për të luftuar dezinformimin, janë tejet të rëndësishme për një përgjigje efektive.
Besimi i lartë ndikon edhe në pranimin e vaksinave. Lidershipi i qendrave të Afrikës për kontrollin dhe parandalimin e e sëmundjes, dhe mobilizimi i kontinentit që nga fillimi për t’iu përgjigjur pandemisë, është shembull i mirë i lidershipit të fuqishëm që solli veprime dhe rezultate.
4.Mbrojtja e punonjësve shëndetësorë
Tragjikisht dhe në mënyrë të papranueshme, viti 2021 veçse ishte vazhdim i trendit tashmë të njohur, dështimit në mbrojtjen e punonjësve shëndetësorë, ku disa prej tyre vdiqën si pasojë e COVID-19. Pagat e vogla, mosparandalimi i infeksioneve, mungesa e pajisjeve mbrojtëse personale, orari i gjatë i punës dhe mungesa e mbështetjes ligjore dhe mendore, janë arsyet për mungesën globale prej 18 milionë punonjësish të kujdesit shëndetësor në dekadën e ardhshme.
Kemi nevojë për fuqi punëtore të fortë jo vetëm për luftën ndaj COVID-it, por edhe për të trajtuar dhe kujdesur për shqetësimet e përditshme shëndetësore dhe kërcënimet e vazhdueshme.
Kjo nënkupton që çdo punëtor shëndetësor duhet të vaksinohet sa më shpejt që është e mundur; duhet të investohet në trajnime, mjete dhe burime për t’i bërë objektet e kujdesit shëndetësor më të sigurta, e çështje të tjera.
5.Vaksinoni botën
Ne kemi vaksina jashtëzakonisht të sigurta dhe efektive, veçanërisht vaksinat mRNA nga Pfizer dhe Moderna. Shumica e njerëzve në vendet me të ardhura të larta tani janë plotësisht të vaksinuar, krahasuar me më pak se 10% të popullsisë së Afrikës. Edhe pse vetëm vaksinat nuk do t’i japin fund pandemisë, popullsia e botës duhet të vaksinohet sa më shpejt që është e mundur.
Në vitin 2022, kjo do të thotë rritje e madhe e prodhimit të vaksinave mRNA dhe shpërndarje më e barabartë, si dhe financim i programeve të vaksinimit — jo vetëm vaksinave — në Afrikë dhe gjetkë.
6.Ndaloni kërcënimet
Duhet një lëvizje globale për të arritur parimin organizues 7-1-7, objektivin dhe metrikën e llogaridhënies, në mënyrë që çdo vend të mund të identifikojë çdo dyshim për pandemi brenda shtatë ditëve nga shfaqja, të fillojë ta hetojë dhe raportojë atë brenda një dite dhe të krijojë një efekt.
7.Bota duhet të jetë vend i sigurt
COVID nuk është kërcënimi i fundit shëndetësor me të cilin do të përballet bota jonë. Sëmundja e pakontrolluar e përhapur kudo është një kërcënim për njerëzit kudo. Si pasojë e COVID-19, kanë vdekur më shumë se 10 milionë njerëz dhe ekonomitë më të mëdha të botës janë prekur. Por bota mbetet ende e papërgatitur dhe e pambrojtur nga epidemitë.
Financimi i konsiderueshëm shtesë do të lejonte Fondin Global, i cili ka qenë efektiv në përmirësimin e parandalimit dhe trajtimit të HIV-it, tuberkulozit dhe malaries, të krijojë një dritare gatishmërie ndaj pandemisë.
Propozimi i një traktati global të pandemisë, që do të udhëhiqej nga Organizata Botërore e Shëndetësisë gjithashtu mund të ndihmojë, por procesi i traktatit është i ngadaltë dhe i pasigurt./UBTNews