Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës thotë se ka trajtuar me prioritet çështjen e Klinikës së Hematologjisë, e që për qëllim ka zgjerimin e hapësirave, krijimin e kushteve më të mira infrastrukturore për pacientët dhe stafin, por edhe renovimeve e hapësirave aktuale.
Ky renovim vjen në kuadër të planit për transformim total të klinikave që tashmë është përfunduar në disa prej tyre, si Klinika e Onkologjisë, Gjinekologjisë me Obstetrikë, Shërbimi Klinik i Mjekësisë Nukleare, blloku operativ kirurgjik me filtra.
Po ashtu së shpejti lëshohen në punë hapësirat e renovuara dhe transformuara në Klinikën e Urologjisë, Shërbimin Klinik të Kardiokirurgjisë, Klinika Emergjente, pasuar edhe me projekte të tjera.
SHSKUK-ja njofton se është arritur marrëveshje të nisin punimet në ndërtimin e objektit të ri për Hematologji dhe Nefrologji, projekt ky në vlerë 4.2 milionë eurosh, që do të mundësojë kushte dhe trajtim dinjitoz për pacientët.
Hapësirat aktuale ku jepet terapia hematologjike ambulantore, janë identifikuar dhe janë në planin e renovimeve.
Andaj, edhe për pacientët që marrin terapi ambulantore hematologjike do të ketë kushte shumë më të mira, pas ndërtimit të objektit të ri që ka nisur, por edhe renovimeve që janë në plan në këto hapësira.
Duhet theksuar se QKUK ka në sasi të mjaftueshme të të gjitha furnizimeve të nevojshme. Pra, përfshirë, çarçafët. Ato janë për 1 përdorim, dhe ka sasi të mjaftueshme.