Shumë shqiptarë janë mbledhur të martën para selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, në protestë kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mesazhe si “Drejtësi, jo politikë”, “Lironi heronjtë tanë” dhe “Heronj të luftës e të paqes”, duke kërkuar lirimin e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Protesta të ngjashme janë zhvilluar që nga 16 shtatori në Kosovë dhe në disa vende të tjera, përfshirë Kanadanë, Zvicrën, Gjermaninë dhe Austrinë.
Gjykata Speciale i dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet, pas shpalljes fajtorë për vepra të lidhura me krime lufte./A.K/
