Shqiptarët e Luginës së Preshevës po kërkojnë që edhe fizikisht të jenë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të prezantuar kërkesat e tyre.
Përfaqësuesit e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, komuna në jug të Serbisë, thonë se është e pakuptimtë që të bisedohet me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve, pa përfshirjen e Luginës së Preshevës.
“Është e rrezikshme ideja që të vendoset fati i Luginës pa përfshirjen dhe pa vullnetin e qytetarëve të Luginës”, është shprehur kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Znj. Sinani i bëri këto komente duke iu referuar raportimeve të mëhershme se Kosova dhe Serbia mund të bien dakord për gjetjen e një zgjidhjeje, ku përfshihet shkëmbimi i territoreve, sipas të cilit, Kosova do t’i jepte Serbisë një pjesë të veriut të banuar me shumicë serbe, dhe do të merrte Luginën e Preshevës që është e banuar me shumicë shqiptare.
Ajo theksoi se kërkesë e përhershme e tyre mbetet bashkimi me Kosovën.