Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, pas mbledhjes se Qeverisë deklaroi se Shqipëria është duke bërë një sakrificë pas vendimit për t’i dhënë Kosovës një sasi të energjisë për dy ditët e festave.
Sipas Ballukut, parashikohet që energjia që do t’i jepet Republikës së Kosovës të mundësohet nga depozitat, pasi sektori po favorizohet nga reshjet. Ajo theksoi se dakordi për dhënien energjisë Kosovës është vetëm për këto dy ditë festash.
Balluku tha se edhe Shqipëria si shumë vende të tjera të rajonit, por edhe më tej, ndodhet në një moment të vështirë sa i takon situata energjetike, prandaj ky veprim është një lloj sakrifice.
“Kemi bërë një akordim me KEK-un dhe sasia e dërguar do të jetë 7680 megavat dhe do të fillojnë transmetimin në orën 7:00 të datës 31 dhjetor dhe do të transmetojmë deri në orën 24:00 të datës 1 janar”, deklaroi Balluku.
Në përgjigje të interesit të medias, Balluku ritheksoi se energjia që do t’i jepet Kosovës llogaritet 7680 megavat dhe se për këtë Kosova nuk do të paguajë para, por do ta kthejë sasinë e energjisë përgjatë periudhës së verës atëherë, kur Shqipëria përballet me mungesë të reshjeve.
“Do të jetë një instrument që ne e quajmë depozitim, pra gjithçka që do të dërgojmë nuk do të ketë shkëmbim financiar, nuk presim nga Republika e Kosovës në këto kushte vështirësie që ata ndodhen edhe për shkak të masave dhe ndërprerjeve energjetike që kanë ndërmarrë që të paguajnë para Republikën e Shqipërisë, por kjo sasi që ne do të depozitojmë gjatë dy ditëshit të festave do të na kthehet në një moment kur ata të kenë komoditetin në periudhën e verës, pra nga qershori në shtator kur Shqipëria ndeshet me vështirësitë e rezervave hidrike”, vijoi ajo.