Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vazhdon vizitën në Berlin në kuadër të panairit, ndërkohë pjesë e delegacionit të kryesuar prej tij janë edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe zyrtarë të tjerë.
Shqipëria do të prezantojë trashëgiminë e saj natyrore e kulturore në tre ditët e këtij panairi global të turizmit.
Sipas autoriteteve shqiptare, mes 190 vendeve pjesëmarrëse dhe 5.600 ekspozuesve, Shqipëria do të jetë në qendër të vëmendjes globale në këtë panair, si “vend i nderit”, përfaqësuar nga turoperatorë, hotelierë dhe ekspertë të fushës së turizmit.
Në ceremoninë e hapjes së panairit Rama ka theksuar se me një kombinim të përsosur përballueshmërie peizazhesh mahnitëse, Shqipëria është shndërruar në një nga destinacionet më të nxehta turistike të botës dhe sipas tij ky është vetëm fillimi.
“Është fillimi sepse presim me padurim të kemi një të ardhme dhe më të shndritshme ekonomike, një rritje të qëndrueshme që do të formësohet, jo vetëm nga të qenit tërheqës si destinacion turistik, por dhe nga roli ynë si model për turizmin miqësor ekologjik si dhe eksperiencat luksoze“, ka theksuar Rama.
Gjithashtu Rama ka publikuar në rrjete sociale një video me momentet e ceremonisë së hapjes së panairit dhe të stendës së Shqipërisë, duke shkruar: “Shqipëria turistike i flet botës nga Berlini”.
Në kuadër të panairit do të organizohen edhe panele diskutimi dhe aktivitet të tjera.