UBT News

Shqipëria e Kosova me sekretariat për koordinimin e marrëdhënieve dypalëshe

Shqipëria dhe Kosova do të kenë një sekretariat koordinues për marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa në muajin nëntor do të zhvillojnë tjetër mbledhje të përbashkët të qeverive.

Kjo u vendos sot pas takimit mes dy kryeministrave Edi Rama dhe Albin Kurti në Prishtinë.

Sekretariati koordinues do të drejtohet nga Gentian Sala. Rama e Kurti theksuan si simbolikë të angazhimit të tij faktin se ka dy pasaporta: shqiptare dhe kosovare.

Takimi mes dy kryeministrave dakordësoi që gjatë muajit nëntor të zhvillohet një mbledhje e përbashkët e dy qeverive për të konkretizuar përpjekjet për forcim të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Prej vitit 2014 mes Shqipërisë dhe Kosovës janë zhvilluar 6 mbledhje të përbashkëta të qeverive. Mes dy vendeve janë nënshkruar rreth 150 marrëveshje dhe memorandume.

Por siç përmendi kryeministri Kurti, jo të gjitha marrëveshjet janë vënë në zbatim, teksa dy vendet kanë ende pengesa në shkëmbimet tregtare dhe lëvizjen e njerëzve.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Kurti uroi për mandatin e tretë qeverisës Ramën dhe tha se dy vendet kanë mundësi të mirë për bashkëpunim.

Ai tha se gjatë takimit me Ramën “më shumë folën ministrat” se sa ata të dy dhe se për një orë e gjysmë “nuk u përmend as Ballkan e as Serbi, por veç Kosovë dhe Shqipëri”.

Nga ana tjetër kryeministri Rama kritikoi qasjen e Serbisë në raport me Kosovën në çështjen e targave. Ai tha se Kosova ka të drejtë dhe se angazhimi i ushtrisë serbe në kufi ishte një manovër teatrale që po nxit nacionalizmin vandal në Kosovë.

Exit mobile version