Sipas burimeve, është sekuestruar rreth 500 kilogramë kanabis dhe janë vënë në pranga shtatë persona. Dy furgona dhe dy automjete janë sekuestruar, gjatë operacionit, ku policisë së Vlorës, iu bashkuan forcat RENEA dhe FNSH.
Nga hetimet, rezultoi se një grup personash po bëheshin gati për të transportuar nëpërmjet kufirit detar një sasi lënde narkotike drejt shtetit turk, njofton policia.
Në pranga kanë rënë Idriz Meminaj, Romir Meminaj, Emanuel Meminaj, Nertin Gjoni, Xhuljano Gjoni, Laurent Likaj dhe Altin Meçi.
Ndërkohë, në kërkim janë edhe disa shtetas të tjerë, banues në Vlorë dhe Tiranë, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë, për arsye se hetimi është në zhvillim dhe sipër.
Droga mbahej në magazinën e Idriz dhe Romir Meminajt. Pasi ishte paketuar, po transportohej me mjetin e drejtuar nga Nertin Gjoni, që u ndalua në lagjen 11 janari
Gjatë kontrolleve të banesave të autorëve, janë sekuestruar dy armë zjarri, katër automjete dhe 8 celularë, sipas policisë.
Të dyshuarit vepronin në formën e një grupi kriminal, ku secili kishte rolin e tij në paketimin, ambalazhimin dhe transportimin jashtë shtetit të lëndës narkotike./TopChannel/