Komisioni për Sigurinë Kombëtare mori sot në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, për krijimin e task-forcave të përbashkëta në fushën e sigurisë”. Të ftuar për të dhënë shpjegime rreth marrëveshjes ishin Andi Mahila, zëvendësministër i Brendshëm dhe Neritan Nallbati, Drejtor i Policisë Kriminale.
Zëvendësministri Mahila foli për qëllimin, protokollet e zbatimit, referencat ligjore të marrëveshjes etj.
Përsa i përket shkëmbimit të të dhënave Mahila, tha se autoriteti paraqitës dhe autoriteti marrës do të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për të siguruar korrigjimin, fshirjen ose bllokimin e të dhënave personale, “si të përshtatshme, kur përpunimi i tyre nuk është në përputhje me dispozitat e këtij nënparagrafi, veçanërisht, kur këto të dhëna nuk janë të përshtatshme, të sakta ose kur ato janë shumë të gjera në lidhje me objektivat e përpunimit”.
Për qëllimet e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, Mahila shtoi se, autoritetet kompetente të palëve do të shkëmbejnë, do të përpunojnë dhe do të ruajnë të dhënat personale, në përputhje me legjislacionin kombëtar përkatës, duke respektuar kushtet e përcaktuara nga autoriteti dërgues dhe duke ndjekur parimet e zbatueshme për përpunimin automatik dhe joautomatik të të dhënave.
Relatorja e projektligjit për komisionin, Antoneta Dhima e vlerësoi atë si një marrëveshje shumë të rëndësishëm, shkruan Atsh Ajo tha se qëllimi i projektligjit është krijimi i bashkëpunimit të drejtpërdrejtë, ndërmjet autoriteteve kompetente të palëve dhe task-forcave të tyre, për të shqyrtuar taktikat, përgatitjet dhe kohën për zgjidhjen e çështjeve që dalin gjatë bashkëpunimit të ndërsjellë, si dhe për të vendosur kur dhe si të ndërmerren veprime në territoret e shteteve palë, veçanërisht, duke shkëmbyer informacione për raste të veçanta bashkëpunimi.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi marrëveshjen në fjalë.