Shqipëria dhe Kosova do të nënshkruajnë të premten në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive marrëveshjen për “Njohjen e periudhave të sigurimeve shoqërore”.
Lajmin e bëri të ditur sot, pas mbledhjes së qeverisë, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.
Ibrahimaj tha se “Ministria e Financave dhe Ekonomisë prezantoi sot në Këshillin e Ministrave këtë marrëveshje që pritet të nënshkruhet ditën e premte, në mbledhjen e përbashkët të qeverive, dhe që ka të bëjë me mbrojtjen sociale të qytetarëve shqiptarë”.
Sipas ministres Ibrahimaj, “marrëveshja është shumë e rëndësishme për të siguruar një trajtim të barabartë të të gjithë të punësuarve, punëmarrësve dhe të vetëpunësuarve, të cilëve konkretisht do t’i njihen periudhat e sigurimit dhe të kontributeve në të dyja vendet”.
“Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë në Kosovë do të mund të përfitojnë nga përfitimet për barrëlindje, nga përfitimet që merren në raste të aksidenteve në punë për ata që janë të punësuar, si dhe nga pensionet e pleqërisë, të invaliditetit apo pensionet familjare në të dyja vendet”, tha Ibrahimaj.
Ministrja theksoi se “kjo është një marrëveshje e cila më parë nga qeveria shqiptare është lidhur me shumë vende të tjera”. “Aktualisht janë 3100 shqiptarë që punojnë ose jetojnë ne vende të tjera dhe përfitojnë nga mbrojtja sociale që sigurohet nga kjo marrëveshje”, tha ajo.