Në të gjithë Shqipërinë këtë vit shkollor në sistemin arsimor parauniversitar ka 436 mijë nxënës, që rezulton rreth 25 mijë më pak fëmijë në kopshte dhe në shkolla për vitin 2022, krahasuar me vjet që ishin rreth 461 mijë.
Edhe pse transparenca e shifrave ka munguar, Top Channel bazuar në raportin më të fundit të drejtorisë së Përgjithshme Arsimore dhe Institutit të Statistikave ka mësuar se rënia më e madhe ndihet në shkollat e mesme pasi këtë vit numërohen me përafërsi 17 mijë gjimnazistë më pak.
Ndërsa në shkollat 9-vjeçare numri i nxënësve ka rënë nga 286 mijë në 278 mijë, me një mungesë prej 8 mijë fëmijësh.
Raporti nxjerr në pah se sot kemi 66 kopshte dhe 5 shkolla të mbyllura krahasuar me vitin e shkuar mësimor. Ndërkaq numërohen në të gjithë vendin 463 institucione arsimore jopublike.
Vihet re se pandemia COVID-19 ka shtuar interesin e prindërve që të zgjedhin arsimimin privat për fëmijët e tyre. Në garën mes shtetit dhe privatit, ky i fundit ka disa avantazhe për shkak të buxhetit financiar./TCH