Katër persona kanë mbetur të lënduar gjatë protestës së djeshme të opozitës, si pasojë e akteve të dhunës dhe hedhjes së mjeteve molotov drejt kordonit të policisë dhe portave të Kryeministrisë në Shqipëri.
Sipas të dhënave zyrtare, një qytetar dhe një fotograf janë lënduar gjatë tubimit, ndërsa dy efektivë të policisë kanë pësuar plagosje gjatë përplasjes me protestuesit.
Pak minuta pasi protestuesit janë shpërndarë nga sheshi përpara Kryeministrisë, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e policisë shkencore, të cilat kanë rrethuar zonën duke e shpallur atë “skenë krimi”.
Për disa orë, ekspertët kanë kryer fotografimin dhe filmimin e dëmtimeve të shkaktuara nga shpërthimet dhe flakët e mjeteve molotov, në kuadër të hetimeve për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Forcat e rendit kanë ndaluar një person të dyshuar për përfshirje në aktet e dhunës gjatë protestës, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë.
