Njësia e kërkim-shpëtimit e Gardës Kombëtare të FSK-së ka shpëtuar katër qytetarë që kishin mbetur në fshatin Drelaj të Rugovës së Pejës.
Siç njoftoi Ministria e Mbrojtjes, operacioni në kushte nate dhe terren të vështirë, u zhvillua duke filluar mbrëmë prej orës 23:00 e duke përfunduar suksesshëm sot në orët e hershme të mëngjesit me kërkimin, shpëtimin dhe evakuimin e katër personave. Personat e shpëtuar ishin pjesëtarë të Shoqatës Alpiniste “Gjeravica”, njëri prej të cilëve ishte i lënduar e të cilit iu ofrua trajtimi fushor mjekësor dhe evakuimi profesional.
“Njësia e FSK-së, operacionin e realizoi në koordinim me njësitë e Policisë së Kosovës, Zjarrfikësit Lokal, ndërsa evakuimin e personave e ka bërë në bashkëpunim me Shoqatën e Kërkim -Shpëtimit Malor “Peja”.Angazhimi vetmohues dhe profesionalizimi i lartë i pjestarëve të njësive të Kërkim- Shpëtimit të FSK-së, si edhe njësive tjera, dëshmohen në çdo kohë, në çdo vend dhe në çdo situatë në shërbim të qytetarëve tanë.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes./UBTNews