Policia holandeze njoftoi të martën arrestimin e tre të dyshuarve në lidhje me shpërthimin shkatërrues të së shtunës në Hagë ku humbën jetën 6 persona.
Arrestimet u kryen të hënën mbrëma ku u sekuestruan dhe disa automjete. Hetuesit po punojnë për të përcaktuar nëse njëra nga makinat e sekuestruara përputhet me përshkrimin e një automjeti që thuhet se po largohej me shpejtësi nga vendi i shpërthimit në rrugën Tarwekamp në lagjen verilindore Mariahoeve ndërsa një makinë e djegur që është gjetur pranë vendit të ngjarjes ka shtuar dyshimet e policisë.
Tre personat në paraburgim nuk lejohen të kenë kontakt me botën e jashtme, përveç me avokatin e tyre, tha policia në një deklaratë, duke shtuar se mund të pasojnë arrestime të tjera.
Shpërthimi dëmtoi 19 dyshe apartamentesh, duke përfshirë pesë që u bënë plotësisht të pabanueshme, sipas zyrtarëve të zjarrit.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e shkakut të shpërthimit, i cili është cilësuar si çështje penale. Policia tha se hetimi i tyre mbetet aktiv dhe nuk përjashtohen arrestime të tjera.
Shërbimet holandeze të emergjencës përfunduan kërkimin e tyre për viktima të hënën vonë. Shpërthimi, i cili ndodhi mëngjesin e së shtunës, shkaktoi shembjen e pjesshme të një pallati, duke shkaktuar gjashtë të vdekur dhe katër të plagosur.
Shpërthime më të vogla pranë shtëpive apo bizneseve nuk janë të rralla në qytetet e mëdha në Holandë, si Amsterdami, Roterdami dhe Haga. Policia beson se shumë shpërthime të tilla lidhen me trafik droge apo zhvatje.
Që nga viti 2021, numri i shpërthimeve në Holandë është rritur ndjeshëm. Ka pasur 1017 shpërthime vitin e kaluar, krahasuar me një total prej vetëm 212 në vitin 2021, sipas të dhënave të policisë. Një shumicë dërrmuese ndodhi në qytetet kryesore. Por shpërthimi i së shtunës ishte i një shkalle tjetër.
Mbreti holandez, Willem-Alexander, vizitoi vendin gjatë fundjavës dhe tha se ishte në shok.
“Kjo është përtej imagjinatës,” u tha ai gazetarëve.