Rreth 60 persona kanë vdekur si pasojë e një shpërthimi në një minierë ari në një fshat në jugperëndim të Burkina Fasos, njoftojnë zyrtarët lokal. Në mesin e viktimave ka edhe gra e fëmijë, raporton agjencia e lajmeve AFP.
Shpërthimi ndodhi në një treg në vendin e minierës së arit kur dinamiti i ruajtur aty mori flakë, thanë dëshmitarët. Dhjetëra të lënduar janë evakuuar në spitalin më të afërt.
Policia po heton rastin në lidhje me incidentin e së hënës. Një person është arrestuar dhe po merret në pyetje.
Sipas agjencisë së lajmeve të Burkina Faso-s, AIB, miniera e arit është mbyllur deri në një njoftim të radhës./UBTNews/