UBT News

Shpërthimi në një xhami në Pakistan: Shkelje e sigurisë apo neglizhencë?

Një sulm vetëvrasës në një xhami në Peshawar ka sjellë vëmendjen kah situata e pasigurt në rajonin fisnor të Pakistanit pranë kufirit afgan.

Shpërthimi i të hënës ndaj besimtarëve gjatë lutjes së padites në një xhami brenda kompleksit policor në qytetin veriperëndimor, la të vdekur të paktën 100 persona, shumica prej të cilëve policë.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të kuptuar se si sulmuesi hyri në këtë zonë shumë të sigurt dhe nëse ai kishte ndihmë nga brenda për të kryer sulmin. Të martën, policia njoftoi se ka arrestuar disa persona, megjithëse nuk dha detaje.

Gjatë një konference për media, Moazzam Jah, inspektori i përgjithshëm i policisë në provincën Khyber Pakhtunkhwa, pranoi se kishte “shkelje sigurie” në kryeqytet, përkundër pikave të shumta të kontrollit.

“Çdo ditë hyjnë dhe dalin nga 1 mijë e 500 deri në 2 mijë njerëz nga linjat e policisë. Në mesin e tyre ka zyrtarë policorë, ankues dhe familjarë e të afërm të atyre oficerëve që banojnë brenda kompleksit”, deklaroi ai mes tjerash.

Rreth 4 mijë deri në 5 mijë njerëz jetojnë brenda kompleksit.

Një komandant i grupit të armatosur të Tehreek-e-Taliban Pakistan (TTP) synoi përgjegjësinë për sulmin, por një zëdhënës i TTP-së e mohoi më vonë se kanë pasur rol në këtë sulm.

Linjat e Policisë janë vendi ku ndodhen ndërtesat qeveritare, shtëpia e guvernatorit, burgu qendror, asambleja provinciale, gjykata e lartë provinciale dhe Shtëpia e Komandantit të Korporatës Peshawar. Njerëzit që hyjnë në zonë duhet të kalojnë nëpër tri pika kontrolli dhe askush nuk lejohet të hyjë pa ftesë nga banorët.

Një zyrtar i policisë shprehu habi për shkeljen e sigurisë.

“Është shumë e vështirë për të depërtuar në mes të kontrolleve të rrepta të sigurisë”, tha Amanat Ali për Al Jazeera.

Ai tha se disa ndërtime janë duke u kryer në këtë kompleks, kështu që punëtorët civilë mund të kenë depërtuar aty.

Një tjetër oficer policie, Imran Khan, i cili jeton në kompleks, tha se nuk është e lehtë të depërtojnë anëtarët e familjes për shkak të sigurisë së rreptë.

Akhtar Ali Shah, një analist sigurie dhe ish-inspektor i përgjithshëm i policisë në Khyber Pakhtunkhwa, tha se pavarësisht se ishte ish-zyrtar i lartë, atij nuk iu lejua të kalojë pa inspektime.

Shah shpjegoi tri mënyra se si sulmuesi mund të ketë hyrë në atë zonë.

“Ka mundësi që dikush nga policia është kthyer në mashtrues dhe është bashkuar me militantë. Mundësia tjetër është se dikush që ishte pjesë e policisë la shërbimin dhe iu bashkua këtij grupi”, deklaroi ai mes tjerash.

Shah shtoi se mundësia e tretë është që dikush nga jashtë u miqësua dhe u bë vizitor i rregullt ose qëndronte atje.

Shah tha gjithashtu se eksplozivët me gjasë janë sjellë me kalimin e kohës dhe jo të gjithë menjëherë, diçka për të cilën aludoi edhe pasardhësi i tij, Jah, në një konferencë për media./UBTNews/

Exit mobile version